Nën titullin: “Athina do luftë”, gazeta turke Yeni Safak paraqet deklarata të eksponentëve ushtarakë, si p.sh. admirali në pension Tzihat Yaitzi, dhe analisti ushtarak Erdogan Karakus. Duke komentuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Turqi-Greqi dhe tensionin mes dy vendeve, Yaitzi dhe Karakus argumentojnë në mënyrë sfiduese se Greqia po përpiqet të fusë në kurth Turqinë, duke e “joshur atë në luftë”.

“Greqia, e cila ndoqi F-16 turk me radarë S-300, vazhdon sfidat e saj në det dhe në ajër. Ekspertët vlerësojnë se qëllimi i kësaj sjelljeje është tërheqja e Turqisë në luftë. Admirali Cihat Yaitzi vlerësoi se: ‘Loja është e madhe’, ndërsa ushtaraku në pension Erdogan Karakos deklaroi pa mëdyshje se: ‘Greqia do luftë. Ajo synon dominimin e plotë në Mesdheun Lindor me Perëndimin pas saj’”, komenton gazeta.

Duke folur për gazetën, Yaitzi, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Detare Turke dhe kreu i Qendrës për Studime Detare dhe Strategjike të Universitetit privat Bakhceshehir, veçoi një “komplot” amerikano-evropian që “bashkëpunon me Athinën kundër Turqisë”, duke theksuar se ngacmimet greke janë intensifikuar kohët e fundit. “Një lojë kundër Turqisë po zhvillohet në prapavijë. Turqia do të ngacmohet vazhdimisht dhe nëse më në fund mbrohet, do të quhet agresore”, tha ai.

Ai përsëriti frikën se Greqia do të procedonte me zgjerimin – tërësisht ilegal – të ujërave territoriale në 12 nm, sipas Ligjit të Detit, lëvizje që Turqia e ka paralajmëruar me casus belli.

“Pas 15 shtatorit, nga Greqia mund të shohim edhe zgjerim të ujërave territoriale në çdo kohë. Natyrisht, kjo nuk mund të pranohet nga Turqia. Duhet të japim përgjigjen e nevojshme me mjete ushtarake”, theksoi Yaitzi, duke pranuar megjithatë se pas kësaj Ankaraja do të përballet me vështirësi dhe do të përjashtohet nga NATO. “Çfarë do të ndodhë më pas? Ata do të thonë: ‘Greqia po ushtron të drejtën e saj në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ‘Kjo është e papranueshme, ta nxjerrim Turqinë nga NATO’”.

Duke vënë në dukje se Qiproja dhe Izraeli mund të bëhen anëtarë të NATO-s pas dëbimit të Turqisë, admirali në pension theksoi: “Egzistenca jonë në Qipro do të rrezikohet gjithashtu, pasi e gjithë Europa e pranon dhe njeh Qipron e Jugut si ishullin e saj të vetëm sovran. Për më tepër, duke ndërhyrë kundër PKK/PYD/YPG, do të shihet se kemi ndërhyrë me aleatin e NATO-s, Sirinë, pasi ata konsiderohen aleatë të SHBA-së. Ne duhet të marrim masa përpara se të ndodhë një zhvillim i tillë negativ. Turqia duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një mbledhje dhe të shpjegojë një nga një paudhësinë e Greqisë”, përfundoi Yaitzi.

Në të njëjtën gjatësi vale janë dhe deklaratat e analistit dhe zëvendësgjeneralit në pension Erdogan Karakos, i cili vuri në dukje se Greqia dëshiron ta tërheqë Turqinë në…luftë: “Greqia, me mbështetjen e fuqisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, kërkon një luftë në rajon me synimin për të anuluar zonat e juridiksionit detar të Turqisë me Libinë, duke arritur sovranitetin e plotë në Mesdheun Lindor”, deklaroi ai, duke thënë se “pas vendit tonë i gjithë Perëndimi po mblidhet”.