Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi gjatë një takimi me drejtuesit e strukturave të Tiranës se PL do të vijojë me protestat.

Meta komunikoi edhe drejtuesit kryesorë për 11 njësitë në Tiranë, që sipas tij kanë për detyrë të bëjnë skaner dhe të ketë një organizim më të mirë për të arritur qëllimin e PL-së.

Ai tha se është koha per veprim dhe organizim, ndërsa bëri të ditur se personalisht do të përgjigjet për njësinë 5, ndërsa në njësinë 1 dhe njësinë 11 i deleguar do të jetë Endrit Braimllari.

“Në njësinë 2 Erisa Xhixho, në njësinë 3 Brisida Shehaj, në njësinë 4 Elona Guri, në njësinë 6 Floida Kërpaçi, në njësinë 7 Monika Kryemadhi, në njësinë 8 Klevi Pojana, në njësinë 9 Tedi Blushi dhe në njësinë 10 Kejdi Mehmetaj”, tha ai.

Meta komentoi edhe aktin normativ të qeverisë për ndërtimet pa leje.

“Paskan shpërthyer ndërtime pa leje në Tiranë, te të gjitha kullat ku pi kafe Rama, dhe nuk paska pasur dijeni se çka ndodhur në këto 10 vite në Tiranë. Ky është operacion i pastër vënie gjobash, vjedhje parash për zgjedhje. Do të bëjë të mirin para popullit të Tiranës që e ka shkatërruar përmes shkatërrimit të qytetit”, tha ai.

Ndaj, sipas Metës, “është koha për veprim”.

Ai shtoi se filozofia qeverisëse e mazhorancës në pushtet është vjedhja dhe mashtrimi.

“Tirana vuan nga një trafik i tmerrshëm. Është bërë e pamundur për një qytetar të gjejë parking pa pagesë. Qytetarët paguajnë taksat më të larta në pushtetin qendror dhe lokal, por paratë e tyre shkojnë me dhjetëra-milionë euro tek inceneratori i Tiranës”, tha ai.