Ilir MetëN me Sali Berishën duket se nuk i bashkon vetëm aksioni opozitar që kanë nisur së bashku, por edhe ‘qytetari digjital’. Ish-kreu i shtetit publikoi ditën e sotme një video ku denonconte se Bashkia e Shijakut po digjte tonelata me mbeturina. Kjo shërbeu si pikënisje për ripërtëritjen e akuzave se qeveria po vjedh lekët e inceneratorëve, ndërsa nga ana tjetër tymi që vjen nga djegia e mbeturinave po dëmton shëndetin e qytetarëve.
“Nuk ka rënë bombë atomike, por thjesht Bashkia e Rilindjes në Shijak djeg tonelata me plehra duke helmuar banorët dhe bërë krime mjedisore. Normal, se lekët e inceneratorëve vidhen nga grupi i strukturuar kriminal, ndërsa banorët terrorizohen që të mos protestojnë”, shkruan Meta.
Mirëpo, menjëherë pas këtij denoncimi të bërë nga Meta, Policia e Shtetit bëri me dije se është arrestuar 45-vjeçari, i cili u kap duke djegur goma. Në pranga ra Arben Meta, banues në Sallmonë, Shijak, pasi u kap në flagrancë duke djegur goma, sedilje makinash dhe mbetje të tjera plastike, me qëllimin nxjerrjen e materialeve metalike.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndotje të ajrit si pasojë e djegies së gomave të makinave dhe sendeve të tjera, në fshatin Sallmonë, Shijak, kanë organizuar punën dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, konkretisht të shtetasit: -A. M., 47 vjeç, banues në Sallmonë, Shijak, pasi në këtë fshat kishte djegur goma, sedilje makinash dhe mbetje të tjera plastike, me qëllimin nxjerrjen e materialeve metalike, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve”, njofton Policia.
Për këtë është pyetur edhe kryetari i Bashkisë, Elton Arbana, i cili në një intervistë për Report TV tha se gjatë natës pi iu vihet flaka qëllimisht mbeturinave, që të akuzojnë më pas Bashkinë si fajtore.
“Po bën opozitën me bashkinë e Shijakut, që e kanë filluar që në muajin gusht me zjarrvënie të qëllimshme. Paska të njëjtin mbiemër me Metën, shpresoj se nuk e ka gjë. Nuk vë zjarr të qëllimshëm bashkia. Na ka ndodhur dhe në muajin gusht që në orën 1 të natës marrin iniciativa të tilla dhe t’u vënë flakën. I djegin natën me qëllim që të përphapen lajme që bashkia dje plehrat”, tha Arbana.