Juristi Kreshnik Spahiu thotë se kryetari i Partisë së Lirisë nuk do garojë përballë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2023.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Spahiu deklaroi se Meta është i humbur përballë Veliajt, madje sipas tij, edhe kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi është kandidat më i fortë.
Spahiu u shpreh se Meta nuk merr vota nga të djathët dhe shtoi se as kryedemokrati, Slai Berisha nuk do donte që ai të merrte protagonizmin në opozitë.
“E para vetë zoti Meta nuk do të kandidojë sepse nga president, kryeministër apo kryetar parlamenti, nuk mund të katandisesh të garosh për kryetar bashkie. Mis hiçit dhe humbjes është më mirë hiçi për Ilir Metën. Meta do preferojë më mirë hiçin sesa të humbë përballë Erion Veliajt. Jam i bindur që Erion Veliaj, kandidatin më të lehtë që do ketë përballë, është Ilir Meta.
Mendoj që çdo kandidat tjetër, përfshi Dash Shehin, apo çdo kandiat, do ishte më i fortë se Ilir Meta, për shkak se Ilir Meta nuk merr vota të djatha. Ilir Meta i duhet të djathës vetëm si patericë, por në asnjë rast për të marrë protagonizmin. Edhe vetë Berisha nuk do ta donte Ilir Metën që të bëhej kryetar bashkie”, theksoi Spahiu.