Të gjithë e njohin filmin “Rasti i veçantë i Benx hamin Baton”, por “Rasti i veçantë i Luka Modriç”, duket se po bëhet edhe më i famshëm.

Të paktën në Madrid. Një lojtar që është pranë të dyzetave, por që duket se po përjeton një rini të pafund. Ai po jeton momentet më të mira në karrierën e tij, pa dhënë asnjë sinjal se tërheqja nga futbolli është afër. Dje, magjistari i mesfushës së Realit të Madridit ka festuar përvjetorin e tij të 37-të, që në Spanjë, mediat e Madridit i kanë etiketuar si 37 pranvera.

Në fakt, ato nuk kanë kurrfarë kuptimi për mesfushorin kroat, as që dëshiron t’i dëgjojë vitet. Këtë e tha fill pas fitimit të Superkupës së Europës: “Nuk duhet të shikosh moshën, është diçka që nuk ka rëndësi. Faktori përcaktues është ajo çfarë jep në fushë dhe unë ende ndihem shumë mirë”.

Jo shumë kohë më parë vendosi të rinovonte për një vit me Realin e Madridit, por pa e menduar aspak se ky do të jetë viti i fundit për të. E në fakt me atë çfarë po tregon në fushë në këtë fillim sezoni, largimi nga futbolli duket ende i largët. Kroati iu bashkua Realit në vitin 2012 nga Totenhemi dhe që nga ajo ditë është kthyer në një legjendë në klub.

Në “Balaidos” kundër Selta Vigos ka arritur kuotën 442 ndeshje dhe tani po sheh për rekorde të tjera, duke iu afruar legjendave të tjera si Bujo (456), Butragenjo (463), Amansio (471) ose Çendo (498). Për të kaluar barrierën e 500 takimeve do t’i duhet edhe një sezon tjetër veç atij aktual, atje ku do të gjejë të parin në listë Roberto Karlosin (527).

Duke kaluar tek Liga e Kampioneve, në “Celtic Park” arriti 100 takimet me Realin në këtë veprimtari, duke e festuar madje me gol. Ai është lojtari i tetë në historinë e Madridit që kalon tri shifrat.

OBJEKTIVI: MARSELO – Pasi ngriti Superkupën në Helsinki, Modriç arriti 21 tituj me Realin e Madridit (njëlloj si Naço), duke iu afruar dhe më shumë ish-kapitenit Marselo si lojtari me më shumë tituj në historinë e klubit (25).

NUMRA PREJ LEGJENDE – Me 37 vite mbi supe, Luka Modriç numëron 33.281 minuta me një mesatare prej 75′ për ndeshje që kur iu bashkua Realit në viti 2012. Ai ka shënuar 33 gola, dy prej të cilëve në këtë sezon kundër Selta Vigos në la Liga dhe Sëlltikut në Champions. Por ai shkëlqen me asistet, 73 të tillë.

Në karrierën e tij është ndëshkuar vetëm dy herë me karton të kuq, të dy me Realin. Dhjetë vjet nga mbërritja e tij në Madrid, Modriç numëron edhe një “Top të Artë”. 37 qirinjtë? Në rastin e tij asgjë!