Një zyrtar i lartë i shëndetësisë në Kinë ka paralajmëruar vendasit që të mos prekin të huajt. Këshilla e zyrtarit erdhi një ditë pasi në Kinë u zbulua rasti i parë me linë e majmunëve.
Në një postim në Weibo, shefi epidemiologjisë në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Wu Zunyou këshilloi qytetarët që të mos kenë kontakt “lëkurë më lëkurë me të huajt”.
Postimi u prit me polemika, teksa disa përdorues të medias sociale e etiketuan si rasist.
“Për të parandaluar infeksionin e mundshëm të lisë së majmunit dhe si pjesë e stilit tonë të shëndetshëm të jetesës, rekomandohet që 1) të mos keni kontakt të drejtpërdrejtë lëkurë më lëkurë me të huajt”, shkroi Wu në faqen e tij në Weibo të shtunën.
Për më tepër, u bëri thirrje gjithashtu vendasve që të shmangin kontaktin lëkurë më lëkurë me udhëtarët e fundit që janë kthyer nga jashtë në tre javët e fundit dhe me të huajt.
Këshillat e tij erdhën një ditë pasi qyteti jugperëndimor i Chongqing raportoi rastin e parë të lisë së majmunëve tek një individ që mbërriti nga jashtë. Nuk është e qartë nëse personi ishte shtetas kinez apo i huaj.
“Sa raciste është kjo? Po për ata, që njësoj si unë jetojnë në Kinë prej gati dhjetë vitesh? Nuk i kemi parë familjet tona prej 3-4 vitesh për shkak të mbylljes së kufijve”, ka shkruar një përdorues tjetër në Weibo.
Virusi i lisë së majmunit, i cili transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me njerëz të infektuar, kafshë ose materiale të kontaminuara, zakonisht shkakton simptoma të tilla si ethe, dhimbje koke dhe skuqje.
Rreth 90 vende ku lija e majmunëve nuk konsiderohet endemike kanë raportuar shpërthime të sëmundjes virale, të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur një emergjencë globale shëndetësore.
Ka pasur më shumë se 60.000 raste të konfirmuara dhe disa vende jo-endemike kanë raportuar vdekjet e tyre të para të lidhura.