Artur Ajazi
Lufta e PD për të ardhur në pushtet, ka gjasa të ndizet me afrimin e datës së zgjedhjeve të reja lokale. Rezultati i atyre zgjedhjeve, do ta gozhdojë Berishën si kryetar partie, ose zhbirillojë përfundimisht, pasi ka të gjitha shanset të humbasë dhe jo të fitojë. Veç Shkodrës (edhe ajo e diskutueshme) Sali Berisha do ta shohë me “dylbi” kësaj here edhe Tropojën, Kukësin, Dibrën, etj. Kjo pasi Tiranën, Durrësin, Elbasanin dhe bashkitë e tjera, thuajse janë prosocialiste qysh tani. Partia Demokratike është në fazën e “terepisë intensive”, nga ku e ka futur Sali Berisha. Duan pushtetin, duan rrëzimin e Ramës, prishin punimet e Kuvendit dhe seancat parlamentare, kërkojnë në arkiva dosje dhe dokumentacion mbi investimet, por pa gjetur më kryesore, rrugën drejt votës së lirë. Sali Berisha mbetet shpikësi i vetëm, i mbajtjes së pushtetit me vota të vjedhura.
Zgjedhjet e përgjithshme të 26 Majit 1996, dhe ato lokale të Tetorit po atij viti, ishin shembulli më i mirë se si, Partia Demokratike vodhi dhe bleu votat me banda të armatosura. Ishte e para forcë politike në Shqipërinë postkomuniste, që vodhi votat, rrahu komisionerët, dhunoi brutalisht opozitën në rrugë, lokale, sheshe, banesa, dhe deri në selinë e saj.Partia Demokratike e Sali Berishës, do ti duhet të hapë muzeun e pushtetit, për ti treguar ndër vite pasardhësve të saj bëmat, gabimet dhe krimet që kanë bërë drejtuesit e asaj partie. Muzeu i pushtetit, do të jetë memorja më e mirë, që do ti kujtojë më të rinjtë e asaj force politike të ndryshojnë mentalitetin dhe largojnë mbetjet e ish-liderit historik. Gjithë shpura e asaj partie është një muze i gjallë i politikës sot. Rama tallet sot me Berishën, ashtu siç është tallur me dje Bashën. Kryeministri nuk ka kohë për “muzeun e Berishës”, por pak minuta të shtrenjta i harxhon në Parlament duke u kujtuar mbështetësve të ish-liderit se “me ju më bashkon vetëm dëshira e mirë për t’ju këshilluar të ktheni rrugë sa nuk është vonë”. Me Sali Berishën kryetar PD dhe opozite, Edi Rama rri edhe 20 vjet të tjera në pushtet, kurse me punën që ka bërë në këto 3 mandate për interesin e vendit dhe të shqiptarëve, ai rri edhe 30 vjet të tjera në pushtet me votë të lirë. Një e keqe e madhe, që ka mbuluar atë parti pas marrjes me dhunë edhe të selisë nga Sali Berisha, mbeten “këshilluesit” apo analistët e Plepave, që i kukurisin gjithë ditën ish-liderit historik (pasi marrin zarfin) se “vetëm ti e hedh tuç Ramën, je më i fortë se kurrë Doktorr, gjithë populli të do”, etj budalliqe që do ti kishte zili edhe Kim Yong Un i Koresë së Veriut. Por pavarsisht kësaj, vendi pa një opozitë të përgjegjshme në demokraci, është një alarm i fortë për zhvillimet dhe proceset integruese.
Shqipëria është anëtare e KiE, anëtare e NATO-s, dhe pret pas çeljes së negociatave pas pak vitesh ti bashkohet Bashkimit Europian. Në BE, nuk mund të shkohet me politikë të prodhuar nga një opozitë e drejtuar nga një formacion antiamerikan, që është ngujuar në selinë e kthyer në muze pushteti. Ajo mbetet parti e pazareve dhe intrigave, derisa sulmon ambasadoren e shtetit më të madh demokratik në botë, partnerit tonë kryesor dhe stradegjik. Ajo parti, po shuhet nën diktatin dhe peshën autoritariste të njeriut që ka provuar dhe prodhuar gjithçka mizore ndaj lirisë, demokracisë dhe të ardhmes europiane të vendit tij.