NATO ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë pas sulmit kibernetik që urdhëroi Irani duke thënë se do të shtojnë mbrojtjen. Në një reagim, NATO thotë se ishte sulm keqdashës ndaj Aleancës pasi kërkonte të cënonte sigurinë.Sipas NATO, aktorët keqdashës kanë synim të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare të Aleancës dhe të pengojnë aktivitetet ushtarake, por thotë se duhet kundërshtuar spektri i plotë i kërcënimeve kibernetike. Ndër të tjera sqaroi se po punohet fort në mbrojtjen e infrastrukturës dhe forcimin e mbrojtjes kibernetike. Ky reagim vjen një ditë pasi Shqipëria vendosi të prishë marrëdhëniet me Iranin.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit. Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve. NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen.
Aktorët keqdashës kërkojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të ndërhyjnë në shërbimet tona qeveritare, të nxjerrin inteligjencë, të vjedhin pronën intelektuale dhe të pengojnë aktivitetet tona ushtarake. Aleatët janë të përkushtuar të mbrojnë infrastrukturën e tyre kritike, të krijojnë elasticitet dhe të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike. Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive”, thuhet në reagimin e NATO.Përveç kësaj, NATO thotë se do të promovojnë hapësirë kibernetike të lirë e të sigurt për të larguar çdo rrezik konflikti. Në përfundim, NATO i bën thirrje shteteve që të respektojnë angazhimet ndërkombëtare për të treguar mbështetje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike.”Ne promovojmë një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt. Ne ndjekim përpjekjet për të rritur stabilitetin dhe për të zvogëluar rreziqet e konfliktit duke promovuar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe normave vullnetare të sjelljes së përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike, siç njihen nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë angazhimet e tyre ndërkombëtare për të mbështetur një qasje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike”, thuhet në reagimin e NATO.
Dje në një videomesazh nga Kryeministria, kreu i qeverisë shqiptare tha se pas hetimeve të bëra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se Irani ka angazhuar 4 grupe për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, që duhet të largohen nga vendi ynë brenda 24 orëve të fundit, teksa për këtë masë ekstreme, siç e ka quajtur Rama, janë vënë në dijeni edhe aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike të Shqipërisë. U deshën disa orë që ministria e Iranit të kishte një deklaratë zyrtare ndaj prishjes së marrëdhëniëve diplomatike me vendin tonë për akuza, të cilat i cilëson si të pabaza.
Irani zyrtar mohoi se fshihet pas sulmeve kibernetike në Shqipëri ndërsa përmes një deklarate tha se shkëputja e marrëdhënieve diplomatike është një veprim i pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se reagimi i menjëhershëm i SHBA-së është dëshmi e një komploti dhe fushate të re kundër Iranit, teksa thotë se Tirana është ndikuar nga një grup terrorist famëkeq i strehuar në Shqipëri, duke iu referuar muxhahedinëve.
Në ambasadën e Iranit ishin 72 diplomatë. Në periudhën e demokracisë, ky është rasti i parë që Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër, ndërkohë që edhe në 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Ky vendim drastik erdhi pas sulmit kibernetik që iu bë Shqipërisë përgjatë muajit korrik ku të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht. Shërbimet u kthyen në funksion të plotë pas katër javësh.