Është ndarë sot nga jeta në moshën 88-vjeçare Hetem Qerimaj, “Mjeshtri i madh” i violinës.

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të violinës, ndërsa përcolli përmes rrjeteve sociale një mesazh lamtumire.

Hetem Qerimaj lindi më 16 tetor 1934, në Këlcyrë. Ai vinte nga një familje zanatçinjsh. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe ishte i ati, i cili i binte mandolinës, ai që i transmetoi dëshirën për të studiuar muzikë. Në vitin 1949 transferohet në Tiranë. Talenti i tij shfaqi interes tek autoritetet të cilët i dhanë mundësi shkollimi për violinë.

Pas studimeve fillon punë si violinist në orkestrën simfonike të kryeqytetit. Nga viti 1949 deri në vitin 1963 punoi si violinist në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës. Në vitin 1963 – 1990 punoi si solist dhe si spala e orkestrës simfonike të Ansamblit të Ushtrisë deri sa doli në pension. Gjatë kësaj kohe ka qenë aktiv si violinist solist duke realizuar disa koncerte në të gjitha qytetet e Shqipërisë nga jugu deri në veri.

Pjesëmarrja e tij në formacione të vogla artistike ka qenë evidente dhe e rëndësishme. Ka një numër të konsiderueshëm koncertesh të realizuara jashtë shtetit, në rreth 40 vende të botës.

Krijimtaria artistike dhe përkushtimi i përpunimit të muzikës tradicionale ka qenë puna e tij intensive në vazhdim. Nga vitet 1970-2008 ka krijuar disa Kaba për violinë.

Ai ishte vlerësuar me titullin “Naim Frashëri” i Klasit III, “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Këlcyrës”, “Mjeshtër i Madh” marrë në 2005 si dhe shumë tituj e vlerësime të tjera.