Pas vdekjes së Mbretëreshës së Anglisë Elisabeth II, politika shqiptare, të opozitës dhe maxhorancës kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për monarken më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në “Facebook’, ku krahas fotos së monarkes, shkruan “Mirupafshim Mbretëreshë”.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin.
“Ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin. Një jetë e tërë në shërbim të kombit, të shtetit dhe qytetarëve! Mbretëresha Elisabeta II, përbashkuesja e kombit, e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, e ndihmoi vendin e saj në ndryshimet e mëdha përgjatë shtatë dekadave, për forcimin e identitetit kombëtar, rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare. Pushofshi në paqe, Madhëria Juaj!”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka i shprëh ngushëllim familjes mbretërore.
“Me dhimbje të madhe dëgjuam lajmin për ndarjen nga jeta e Mbretëresha Elizabeth. Gjatë mbretërimit të saj 70 vjeçar ajo dha udhëzime, motivim, vizion dhe stabilitet për Britaninë, një figurë respekti dhe admirimi për pjesën tjetër të botës . Ne ofrojmë Familja mbretërore dhe njerëzve të saj ngushëllimeve tona të përzemërta”- shkroi Xhaçka
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj, Elizabeth II, e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues, përkushtimin dhe angazhimin e saj të pathyeshëm! Duke vlerësuar lart kontributin e Saj të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, jam i bindur se figura dhe Udhëheqja e Saj e dalluar publike dhe ndërkombëtare do të kujtohet përherë me respektin më të thellë. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Mbretërore, Qeverinë dhe popullin britanik, si dhe të gjithë Komonuelthin për këtë humbje të madhe”- ishte mesazhi i ish-presidentit Ilir Meta.
“Ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elisabetë II. Një grua e admirueshme, një jetë në shërbim të qytetarëve,personifikimi unik i demokracisë britanike. Mbretëresha më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe do të mbahet mend gjatë si gruaja që mishëroi qetësinë dhe stabilitetin në një botë të trazuar dhe me shumë sfida. Pushoftë në paqe!”- ishte ky mesazhi i Enkelejd Alibeajt.