Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, ka njoftuar në një takim të NATO se SHBA do të mbështesë aleatët dhe partnerët me një paketë financimi ushtarak prej 2.2 miliardë dollarësh. Në paketë do të përfshihen aleatët: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Greqia, Latvia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe partnerët: Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia dhe Ukraina.Në një reagim, ambasadorja amerikane Yuri Kim thotë se SHBA do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur dhe forcuar aleatët dhe partnerët tanë. Një zyrtar i Departmantit amerikan të Shtetit tha se përafërisht 1 miliard dollarë do të ndahen për Ukrainën.
“Ndihma ka për qëllim të përdoret për mbrojtjen e sovranitetit, modernizimin e forcave të sigurisë, përmirësimin e partneritetit me aleancën ushtarake të NATO-s dhe forcimin e kapaciteteve për “t’iu kundërvënë ndikimit rus dhe agresionit”, tha zyrtari amerikan.Ndihma amerikane vjen në formë të granteve dhe kredive që do të lejojë shtetet të blejnë armë dhe pajisje mbrojtëse të prodhuara në SHBA. Sekretari Blinken njoftoi për ndihmën e re në Ukrainë gjatë vizitës në Kiev më 8 shtator. Kjo është vizita e dytë e kryediplomatit amerikan në kryeqytetin ukrainas, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.Blinken u takua me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, me diplomatët amerikanë dhe vizitoi një spital të fëmijëve, ku foli me të plagosurit nga bombardimet ruse, raporton Reuters. Në pakon e re të ndihmës ushtarake do të përfshihen më shumë municione dhe sisteme kundërtanke Humvee, thanë zyrtarët.Me pakon e fundit, ndihma ushtarake që SHBA-ja ka dhënë për Ukrainën që kur Biden është bërë president arrin vlerën e 15.2 miliardë dollarësh.