Ilir Meta nuk do të pranohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të kandiduar për deputet, kryetar bashkie apo këshilltar bashkiak, pa paraqitur një certifikatë të re të pastërtisë së figurës, lëshuar nga Autoriteti i Dosjeve me në krye Gentiana Sula. Kështu parashikon nisma ligjore e mazhorancës, depozituar në Kuvend, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim për të dekumunistizuar Kuvendin dhe pushtetin vendor.
Autoriteti i Dosjeve ka referuar një dosje në Kuvend, sipas të cilës ish Presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke nënkuptuar se Meta ka paraqitur certifikata false për pastërtinë e figurës nga komisionet Bezhani dhe Mezini. Ilir Meta ka mohuar se ka qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, ndërsa ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për falsifikim dhe manipulim të dosjeve. Megjithatë, Meta ka paralajmëruar rezistencë ndaj nismave të mazhorancës për largimin e bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit nga Kuvendi dhe politika.