Sezonin e ri të “Top Story” i cili nisi mbrëmjen e sotme, e hapi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që aspiron për një mandat të tretë për drejtimin e kryeqytetit. Në intervistën me Sokol Ballën, ai iu përgjigj pyetjeve për inceneratorin e kryeqytetit, projektet e realizuara dhe ato të parealizuara si dhe synimet për të ardhmen e Tiranës.

Erion Veliaj, i cili është në vitin e fundit të mandatit të dytë, tregoi ndër të tjera si është t’i shërbesh kryeqytetit me dy mandate radhazi. Veliaj tha se puna e tij është 90% privilegj dhe 10% është privilegj si kryetar bashkie.

Kryebashkiaku tha se për të është shans që i shërben komunitetit të Tiranës dhe kjo e shtyn të punojë më shumë. Ai tha se për të, ky mandat ka qenë më I çuditshmi në botë, pasi nisi me tërmet e pasoi me pandeminë dhe e gjithë fatkeqësia u kthye në punë të madhe.

“Në 90% të kohës jeta është përgjegjësi, 10 % privilegj, qe jam kryetar Bashkie. Për një javë hapen shkollat dhe duhen 12 të reja ati. Të jep edhe kënaqësi kjo punë por është përgjegjësi. Është bekim i madh shumë. Ai 1 në 1 mln që ka shansin i shërben komunitetin. Unë pickoj veten i them ky është privilegji yt. Kemi disa projekte të papërfunduar. Ky mandat ishte më i çuditshëm në botë, e nisëm me tërmetin. I marr seriozisht betejat. Ka qenë mandate I çuditshëm dhe me mundësi të jashtëzakonshme. Ishte jashtë normale por u bën disa punë të mira. E kthyem fatkeqësinë në punë shumë të madhe”, tha Veliaj.

Sa i përket çështjes së shumëpërfolur së çështjes I.M nga Dosja e Sigurimit të Shtetit, Veliaj tha se ky nuk është halli i vërtetë i shqiptarëve. Ai tha se shumë nga hallet që imponojnë mediat nuk janë në të vërtetë ato që shqetësojnë shqiptarët, por për ta ka halle të tjera, siç është nisja e shkollës për fëmijët e tyre.

“Shqiptarët në të vërtetë kanë halle të tjera, jo halle e spiune e dosjesh. 90% e shqiptarëve mund të shkojnë kudo. Sot kanë nisur mësimin shkollat private, unë pres hapjen e 12 shkollave të tjera. Hallet që merret 90% e mediave nuk janë hallet e Shqipërisë. Hallet e njerëzve nuk janë ato që iu imponohet njerëzve”, shtoi Veliaj.

Për të njëjtën çështje, Agron Gjekmarkaj u shpreh në studio pro hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, madje sipas tij duhet të ishin hapur 32 herë në këto 32 vite. Gjekmarkaj tha se ka tre skenarë për rastin e Ilir Metës së përmendur nga Dosja e Autoritetit. Ai tha se mund të jetë manipuluar dosja për Ilir Metën, ai mund të jetë, ose jo bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit. Gjekmarkaj tha se kushdo rezulton spiun, nuk mund të mbajë poste të larta në shtet.

“Në këto 32 vite dosjet duhet të ishin hapur 32 herë. Meta duhet të vërtetojë që dosja është e manipuluar. Tre janë skenarët e mundshëm për Ilir Metën E para, qeveria ka manipuluar dosjen për Iliri Metën, e dyta ka qenë një dosje për Ilir Metën që nuk ka bashkëpunuar me ish-sigurimin e shteti. ose e treta që mund të ketë bashkëpunuar dhe duhet vërtetuar. Të hapet dosja dhe nëse nuk ka bashkëpunuar, gjëja e parë që duhet bërë është që t’i kërkojnë falje Ilir Metës, ose nëse rezulton bashkëpunëtor të vazhdojnë procedurat. Duhet ta vërtetojmë. Çdo kush që ka qenë bashkëpunëtor nuk dihet të ketë post të lartë në politikë. Unë besoj që parlamenti ka të drejtë të votojë çdo ligj që është për transparencë. Por njeriu konvertohet dhe kjo e drejtë hyn në politikë. Raporti është më krimin, nëse nuk ka krime, njeriu mund të konvertohet”, tha Agron Gjekmarkaj.

Ndër të tjera, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, komentoi dhe zhvillimet e fundit në parlament, ku mazhoranca kërkon ndryshime ligjore që përfshijnë hapje totale të dosjeve, përfshirë edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini. Veliaj kujtoi kohën kur ishte ministër për çështjet sociale dhe bashkë më zëvendës ministren Genta Sula, që sot është në krye të Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, përgatitën një projektligj që kërkonte hapjen e dosjeve, por që thotë se u rrëzua nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilir Meta.

“Qëllon që para se të shërbeja si kryetar bashkie, kam shërbyer si ministër i çështjeve sociale dhe rinisë. Një nga detyrat që m’u tha nga Kryeministri ishte që mos të mbetemi si Rusia, që është i fundit vend që nuk ka hapur dosjet. Meta ishte kryetar kuvendi. Ne vendosëm që të imitojmë procesin gjerman, në parimin e vërtetë dhe pajtim, për të thënë që këto të liga ia ka bërë shqiptari shqiptarit. Duke i ditur, ne emancipohemi”.

Duke theksuar se “këto janë të këqija që shqiptarët ia kanë bërë njëri-tjetrin”, Veliaj e sheh hapjen e Dosjeve si një proces të nevojshëm, që do ta ndihmonte dhe jo pengonte shoqërinë.
“Para se të jepja dorëheqjen, dhashë dëshminë time për mënyrën time si e kam parë këtë proces, si qëllim i mirë për të hapur dhe pajtuar shoqërinë. Ai ligj ka hapur qindra dosje të klerikëve, të Partisë së Punës, të familjeve të ndryshme”.

Duke u ndalur sërish te rasti i politikanit ‘spiun’ I.M. që ngriti dyshimet se mund të jetë ish-Presidenti Ilir Meta, Veliaj thotë se dosjet kanë të dhëna për të gjithë personat e përfshirë. Edhe nëse disa dosje janë zhdukur thotë ai, atyre personave i del emri në dosje të të tjerëve:
“Dosjet nuk janë të zhdukura. Unë mund të kem zhdukur dosjen time, por teksa kam spiunuar të tjerët, jam në dosjet e tyre”.

Publicisti Agron Gjekmarkaj i rikujtoi në studion e Top Story kryebashkiakut Erion Veliaj për premtimet e dhëna në fushatën e vitit 2015 për një Tiranë pa kulla. Gjekmarkaj përmendi problemet kryesore të Tiranës, siç janë ndërtesat pa kriter, trafiku i rënduar apo Teatri.

“Veliaj betejën e vet e ka bërë në 2015 përballë Halim Kosovës, mandatin tjetër e ka të dhuruar dhe kjo ishte nga faji i opozitës. Unë kujtoj premtimet që dhe në fushatë për një qytet pa ndërtime, pa kulla, ndërsa tani zihen dhe po rritet në lartësi. Ka probleme të mëdha trafiku, kur po ndërtohen korsi biçikletash. Po ndërtohen shkolla, por nuk dihen fondet. Të gjitha hanë diskutim. Për këto Veliaj duhet të sqaroj publikun. Edhe çështja e Teatrit mua më ka goditur shumë, se nuk u pyet qyteti”, pyeti Gjekmarkaj.

Në përgjigje Veliaj tha se problemi nis me mungesën e planit urbanistit. Ai tha se Tirana nuk është e mbushur me kulla, pasi ka vetëm 10 të tilla. Veliaj tha se Tirana ka ndryshuar si çdo gjë tjetër, por për mirë. Ai tha se Tirana është produkt i një aksidenti që është zhvilluar kaq shumë, pasi këtë fat mund ta kishin edhe qytete të tjera në vend. Ai tha se për herë të parë Tirana ka thyer rekord duke pasur më shumë turist sesa banorë.

“Ky qytet nuk ka plan urbanistik. Kur thua na mbytën kullat, nuk e ke për Tiranën, 10 kulla ka. Asnjë nuk jeton aty, nuk na mori ajrin. Ti mund të kesh nostalgji për Tiranën e vjetër por nuk ke jetuar aty. Të gjithë ndryshojmë dhe rritemi. Ky qytet më ka dhënë shumë mua. Ky qytet është produkt i një aksidenti. Italia që ne dashurojmë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Fatin tonë mund ta kishte Lushnja, por ishim ne. Në 100 vite ne jemi rrit 100 herë. Mbreti Zog e modernizoi, erdhën nga Firenze arkitektë, u menaxhua konturi i parë i Tiranës. Pallatet e rrugës Durrësit janë bërë që në atë kohë. Ne e pastruam aksin dhe e bëmë me një korsi. Kur dëgjoj Berishën që thotë i ka humbur identiteti Tiranës.

Kam një sens mirënjohje për qytetin dhe këto janë kulla (New York), Tirana 10 kulla ka. Ne duam të kemi Champion, Dua Lipën dhe Rita Orën dhe të jemi qerpiç. Tirana ka qenë një rrotondo e madhe makinash. Qytetet ndërtohen për njerëzit. Sot Tirana është me tufa turistësh. Sot për herë të parë kemi thyer rekordin Tirana ka më shumë turistë sesa banorë. Në New York 68 mijë njerëz flenë jashtë. Fëmijët që ne I gjejmë në rrugë, ne i marrim i edukojmë. Zogu Zi ka qenë problem, sot Astiri është më mirë. Modeli i Saliut jetoni më puse e ndërtoni pa leje është më mirë, apo sot”, tha Veliaj në studion e “Top Story”.

Në përmbyllje të intervistës, Veliaj u pyet nga Sokol Balla edhe për mandatin e tretë që synon të marrë.

Veliaj nuk përmendi asnjë person, që e sheh si kundërshtar në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ngjarjet e papritura dhe të paparashikueshme, ai i sheh si të vetmit “kundërshtarë”.

“Tani, rivali më i madh do të ishte diçka e paparashikuar. Energjia, e kemi dëgjuar nga ministrja Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama që na pret periudhë e vështirë”, tha kryebashkiaku.

Duke folur për projektet e realizuara dhe ato të mbetura pezull, kryetari i bashkisë pranon se ndërtimi i Teatrit Kombëtar ka dështuar dhe si arsye përmend shtrenjtimin e kostove të produkteve të ndërtimit dhe thotë se gara do të hapet sërish.