“Italia është pjesë e jetës së çdo shqiptari”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella si edhe delegacionin që e shoqëronte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në takim ishin të pranishëm Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë me Italinë, Arben Pëllumbi, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri.

Në këtë takim pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, si një mik i rrallë dhe i nderuar i vendit tonë, Kryetarja Nikolla e vlerësoi vizitën e Presidentit Mattarella.

“Një tregues domethënës i partneritetit strategjik, dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë, të cilat mbështeten në një trashëgimi të pasur historike, kulturore dhe ekonomike. Italia ka qenë për shqiptarët dritarja nga shihnin Perëndimin dhe demokracinë. Italia ka qenë gjithashtu ndër mbështetëset më të fuqishme të zhvillimit, demokratizimit dhe integrimit evro-atlantik të Shqipërisë gjatë tre dekadave të fundit. Ne shqiptarët, i jemi mirënjohës Italisë për këtë mbështetje, për kontributin si avokate e integrimit evropian të Shqipërisë dhe si shtëpia e dytë e qindra mijëra emigrantëve shqiptar. Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë do të mbështeten në përvojën dhe ekspertizën së Italisë, si një vend themelues i BE-së, edhe në procesin e gjatë e sfidues të negociatave. Për këtë kemi pasur e do të kemi edhe ndihmën e Dhomës së Deputetëve të Italisë”, theksoi Nikolla.

Pasi evidentoi disa aspekte të bashkëpunimit shqiptaro-italian në fushën e arsimit dhe të universiteteve si edhe mbresat e saj personale nga ky bashkëpunim, Nikolla vlerësoi gjithashtu politikat për ruajtjen e gjuhës dhe traditave arbëreshe në Itali dhe rolin e komunitetit arbëresh dhe të emigrantëve shqiptarë si ura miqësie mes dy vendeve e dy popujve tanë.

Shqipëria vlerëson rolin konstruktiv dhe aktiv të Italisë në rajon dhe në zhvillimet rajonale dhe beson në rolin e saj të domosdoshëm dhe në kontributin e saj thelbësor në tendencat pozitive të këtyre zhvillimeve.

Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen dhe vuri në dukje se është nder i madh të pritet në Kuvendin e Shqipërisë. Midis Italisë dhe Shqipërisë, nënvizoi Presidenti Mattarella ka lidhje të fuqishme dhe historike, të cilat janë ushqyer edhe nga komuniteti i arbëreshëve në Itali, i cili është një komunitet shumë vital.

Presidenti Mattarella përgëzoi Kryetaren Nikolla për çeljen e negociatave të pranimit me BE-në dhe nënvizoi se kjo është një njohje e arritjeve dhe prestigjit të Shqipërisë si edhe një lajm i gëzueshëm për vendet që e kanë mbështetur dhe po e mbështesin integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa të cilin BE është e paplotë.

Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Mattarella biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe aspekte të tjera të bashkëpunimit dypalësh.