Nis Mural Fest Tirana, një prej festivaleve më të veçanta që zhvillohet në Tiranë. Mural Fest, tradita e një arti që nuk vdes kurrë është nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nisjes së festivalit kuratori i Mural Fest Tirana, Helidon Haliti tha se e veçanta e këtij viti është se do të ketë më shumë pjesëmarrëse gra artiste si dhe do të ketë tre vepra kushtuar rinisë.
“Mural Fest ka nisur prej 5 vitesh, i realizuar nga Dekor Tirana, duke afruar artistë nga e gjithë bota. Risia e Bashkisë së Tiranës është se ka një grup e cila ka artistë brenda, të cilët pikturojnë përditë. Ata i njohin muret e Tiranës dhe pikturojnë gjëra përditë. Dera e Mural Fest është e hapur për të gjithë studentët dhe të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Workshop-i do të jetë 3 ditë. Është i iniciuar nga Dekor Tirana dhe nga Kongresi Rinor Kombëtar. E përgëzoj Kongresin sepse ka sjellë shumë aktivitete në Shqipëri. Këtë vit kemi dy artistë të shkëlqyer, siç është Noe nga Uruguai. Ne këtë vit kemi katër vajza artiste, me insistimin tim vjen edhe një vajzë nga Kosova, Emona 21 vjeç e cila ka bërë disa mure në Kosovë. Vjen gjithashtu edhe Zana nga Amerika, Pablo nga Spanja, apo Bogdani nga Rumania”, u shpreh muratori Haliti.
Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se është e lumtur që Kongresi i është bashkuar këtë vit Mural Fest, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe se shpreson që në vitet e ardhshme kjo nismë të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë “Ne kemi ardhur me Tirana Art, si një nismë që synon që këtë festival të muraleve ta përçojë edhe te brezat e rinj nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve, por edhe mundësisë që atyre u jepet për ta përfaqësuar punën rreth e përqark qytetit. Unë jam e bindur që do u mundësojmë të rinjve më shumë hapësira dhe mundësi dhe do bëjmë të mundur që edhe vitet e tjera këtë traditë aq të mirë ta ruajmë dhe ta promovojmë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Peci.
Ndërsa menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga tha: “Në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” festivalit që realizon Dekori i Bashkisë Tiranë, i bashkohet edhe Mural Art, një projekt që vjen në kuadër të vitit të rinisë, një vit special që sjell për të gjithë të rinjtë e Tiranës, shumë aktivitete të ndryshme”, u shpreh Menaxheri i Programeve të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” Ergys Gezga.