Krahas socialistëve, të cilët kanë depozituar dy nisma ligjore për verifikimin e politikanëve që kanë marrë certifikata pastërtie nga komisionet Mezini-Bezhani si dhe për largimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit nga Kuvendi dhe politika, 17 deputetë të Partisë Demokratike kanë firmosur dhe depozituar një projektligj në Kuvend, për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Kanë firmosur nismën për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit deputetët Enkelejd Alibeaj, Helidon Bushati, Orjola Pampuri, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Saimir Koreshi, Dashnor Sula, Merita Bakiu, Tomor Alizoti, Selaudin Jakupllari, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji dhe Flamur Hoxha,
Bie në sy se grupi i Foltores, rrjedhimisht i Sali Berishës, nuk ka firmosur nismën ligjore për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Për herë të parë, Partia Demokratike ndahet edhe sa i takon dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, një çështje e përdorur për shantazh dhe gjueti shtrigash, por që faktorët politikë kanë deformuar, penguar dhe sabotuar çdo nismë ligjore gjatë tre dekadave për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Nisma ligjore parashikon një shtesë në nenin 13 të ligjin e vitit 199 për informacionin sekret shtetëror, duke deklasifikuar të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me përjashtim të dokumenteve që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.
“31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e plotë të asaj që ishte diktatura më e egër dhe me çnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjerë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë që ishte ana më e errët e saj, pikërisht Sigurimi i Shtetit. Kjo strukturë përfaqësonte frikësimin, dhunën dhe terrorin që shteti diktatorial kërkonte të depërtonte në mendjen e çdo qytetari shqiptar, për të parandaluar çdo lloj përpjekje kundërshtie apo revolte. Në këtë rast është e qartë se e drejta, interesi dhe mundësia për të mësuar të vërtetën historike të Shqipërisë së viteve 1944- 1991, prevalon mbi nevojat që mund të ketë shteti për ta mbajtur këtë informacion të klasifikuar. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë treguar mjaft të kujdesshëm duke përjashtuar nga aplikimi i kësaj dispozite, ato dokumente të ish-Sigurimit te Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.