Mëngjesin e kësaj të hëne, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç mbërriti në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe, si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

“Derisa e kemi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”, kjo ishte një nga pankartat që mbanin në duar serbët.

Kjo është vizita e parë e Bërnabiç në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.

Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe.

Më 2 shtator, autoritetet e Kosovë lejuan vizitën e saj në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.