OKB u ka bërë sërish thirrje talebanëve të marrin “masa urgjente” për të rihapur shkollat e mesme për vajzat në Afganistan , duke e quajtur mbylljen njëvjeçare të shkollave “të paprecedentë, të turpshëm dhe tragjik “.
“Sot bëhet një vit që kur vajzat në Afganistan janë përjashtuar nga arsimi i mesëm. Një vit njohurish dhe mundësish të humbura që nuk do të gjenden më kurrë. Vajzat e kanë vendin në shkollë. Talebanët duhet t’i lënë të kthehen”, shkruan në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Pas marrjes së pushtetit në Afganistan në verën e vitit 2021, talebanët ndaluan vajzat të shkonin në shkollë.
Më 23 mars, shkollat e mesme të vajzave ishin të hapura vetëm për disa orë përpara se talebanët të shpallnin mbylljen e tyre përsëri, raporton abcnews.al.
Lëvizja islamiste që atëherë ka pohuar se shkollat mbeten të mbyllura për shkak të një “problemi teknik” dhe se do të rihapen sapo të finalizohet një program i bazuar në rregullat islamike.
Sipas OKB-së, “më shumë se një milion vajza”, kryesisht të moshës 12 deri në 18 vjeç, u penguan të shkonin në shkollë vitin e kaluar shkollor, gjë që nuk ndodhi për djemtë, pasi shkollat e mesme për ta u rihapën më 18 shtator 2021 . Është një përvjetor tragjik, i turpshëm që mund të ishte shmangur ”, komentoi sot Markus Potzel , ushtrues detyre i Misionit të Asistencës së OKB-së në Afganistan (UNAMA).
“Nuk ka asnjë justifikim të besueshëm për përjashtimin e vazhdueshëm të vajzave nga shkollat e mesme” , shtoi ai, duke theksuar se “askund në botë nuk ndodh diçka e tillë”.
“Kjo dëmton thellësisht një brez vajzash dhe të ardhmen e Afganistanit ”, theksoi Potzel.
“Mohimi i arsimit cenon të drejtat më themelore të grave dhe vajzave. Rrit rrezikun e tyre të margjinalizimit, rrezikun e dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit”, theksoi UNAMA në deklaratën e saj.
“I takon talebanëve të krijojnë kushtet që do të promovojnë paqen, gjithëpërfshirjen, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe rimëkëmbjen ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar mbetet i gatshëm të mbështesë një qeveri që do të përfaqësojë të gjithë popullsinë dhe që do të respektojë të drejtat e tyre”, përfundoi ai.
Pas kthimit në pushtet më 15 gusht 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të rënda për gratë dhe vajzat: ata mbyllën shkollat e mesme të vajzave në shumicën e provincave dhe i ndaluan ato të punojnë në sektorin publik. Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan vajzave dhe grave që të mbulohen plotësisht kur dalin jashtë shtëpisë.