Ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të rritet me 10% duke nisur nga muaji i ardhshëm. Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë, teksa do të dyfishohet nga 1 tetori edhe pagesa për gratë kryefamiljare me dy fëmijë si dhe ajo për personat mbi moshën 65 vjeç që nuk përfitojnë pension. Mbështetja për rreth 64 mijë familje përfituese tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu do të jetë afatgjatë.
“ Nga 1 tetor rritet me 10% masa e pagesës ndihmës ekonomike për të gjitha familjet përfituese. Po nga 1 tetori dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për familjet që kanë 2 fëmijë, gratë kryefamiljare që janë 5700 gra kryefamiljare me 2 fëmijë që do përfitojnë dyfishim e pagesës së ndihmës ekonomike. Dyfishim edhe për të moshuarit që janë pa pension pleqërie apo pension social që janë +65 vjecc. Janë më shumë se 5300 të moshuar përfitues. Për përfituesit e skemës ekonomike janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga këto masa.” Ogerta Manastirliu. Këshilli i ministrave miratoi këtë të enjte edhe një tjetër masë të paketës së dytë të Rezistencës Sociale për rritjen e mbështetjes së pagesës për energjinë elektrike për rreth 12 mijë persona me aftësi të kufizuar.
“Pas indeksimit me 7.5% që kemi bërë për programin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar, rreth 90 mijë për përfitimin që marrin, sot vendosëm mbështetjen për kompensimin e masës së energjisë elektrike. Personat që kanë status të aftësisë së kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër u rritet masa e kompensimit të energjisë. Ata që e kanë këtë masë mbështetje shkon nga 2000 lekë të reja në 3 mijë lekë të reja, ndërsa të verbrit e kategorisë së dytë nga 1400 shkon në 2400 lekë të reja”tha ministrja. Efekti financiar për arkën e shtetit për këto vendime të ndërmarra në kuadër të paketës së dytë mbështetëse të qeverisë arrin në 455 milionë lekë, rreth 4 milionë euro vetëm për periudhën tetor-dhjetor të këtij viti, teksa mbështetja parashikohet të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.