Papa Françesku paralajmëroi liderët fetarë nga besime të ndryshme se feja nuk mund të përdoret për të justifikuar “ligësinë” e luftës. Kjo deklaratë interpretohet si kritikë ndaj Kishës Ortodokse Ruse, e cila me në krye Patriarkun Kirill ka mbështetur presidentin rus, Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.

Duke folur në Kongresin e shtatë të Liderëve të Botës dhe Feve Tradicionale, që u mbajt në Kazakistan, Françesku ftoi të pranishmit që të bashkohen në dënimin e luftës dhe të mospërdorimit të fesë si justifikim për të.

“Zoti është paqe. Ai na udhëheq gjithmonë në rrugën e paqes, asnjëherë në atë të luftës”, tha Papa Françesku pa përmendur në mënyrë specifike Rusinë apo Ukrainën.

“Nëse krijuesi, të cilit ne ia dedikojmë jetën, është autor i jetës njerëzore, si mund ne që e quajmë veten besimtar, të pranojmë shkatërrimin e asaj jete? Do Zoti që ne kurrë të mos e justifikojmë dhunën”, tha Papa.

Patriarku Kirill ishte parashikuar të merrte pjesë në këtë konferencë, por e anuloi pjesëmarrjen në momentet e fundit. Megjithatë, një delegacion i Kishës Ortodokse Rusie mori pjesë në ngjarje.

Patriarku rus Kirill ka dërguar një mesazh për Kongresin, që u lexua gjatë mbledhjes. Ai paralajmëroi për problemet që po shkaktohen “nga përpjekjet për të ndërtuar një botë pa u mbështetur në vlera morale”.

Patriarku rus kritikoi mentalitetin “sekular” të Perëndimit dhe tha se konflikti në Ukrainë është mbjellë nga kërcënimet e jashtme ndaj Rusisë. Kongresi në Nur-Sultan të Kazakistanit mbledh së bashku delegacione të besimeve të ndryshme për të diskutuar për rolin e fesë në zhvillimin e njerëzimit në botën moderne.