Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi të mërkurën sanksione të reja kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, duke përfshirë kufizime të mëtejshme tregtare, ‘listime të zeza’ individuale dhe një kufi të çmimit të naftës për vendet e treta. Propozimi tani do t’i shkojë 27 vendeve anëtare të bllokut, të cilat do të duhet të arrijnë unanimitet për t’i zbatuar ato.
Kjo mund të marrë kohë pavarësisht se BE-ja është nxitur në veprim nga mobilizimi i pjesshëm ushtarak i Rusisë, kërcënimet bërthamore ndaj Perëndimit dhe lëvizja për të aneksuar një pjesë të Ukrainës. “Ne nuk pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Dhe ne jemi të vendosur të bëjmë Kremlinin të paguajë çmimin për këtë përshkallëzim të mëtejshëm,” u tha von der Leyen gazetarëve.
“Ne po propozojmë një paketë të re sanksionesh shtrënguese kundër Rusisë.” Më herët të mërkurën, një këshilltar i lartë ekonomik i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje BE-së të shkurtojë më tej flukset e parave në Rusi nga shitjet e karburanteve fosile. Grupi G7 i vendeve të industrializuara, ku vendet e BE-së, Italia, Franca dhe Gjermania janë gjithashtu anëtarë, tashmë kanë rënë dakord të vendosin një kufi të tillë të çmimit të naftës përmes siguruesve.
“Nëse nuk po bëni asgjë, kjo do të thotë se thjesht po e zgjatni këtë luftë me Ukrainën, kjo është thjesht qesharake, e gjithë bota e civilizuar duhet të jetë e bashkuar për këtë,” u tha gazetarëve Oleg Ustenko. Ndërsa BE-ja tashmë ka rënë dakord të ndalojë importin e naftës ruse duke filluar nga fundi i këtij viti, Ustenko tha se “paratë e gjakut” do të vazhdojnë të rrjedhin në Moskë nëse kompanitë evropiane nuk ndalohen të sigurojnë dërgesat në det.