Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatit për anëtar të Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”, edhe në raundin e dytë nuk arriti të miratonte asnjë kandidaturë për antarë të KLP, pasi për asnjë nga kandidaturat nuk pati 4 vota.

Përzgjedhja e kandidatit u bë me short ku gogla u tërhoq nga Gazmend Bardhi dhe u zgjodh Arta Mandro që do i shkojë Kuvendit, dhe nëse merr votat do të zgjidhet anëtare. Nëse nuk merr shumicë votash, zgjidhet një anëtar tjetër nga nënkomisioni. Katër kandidatët ishin: Arta Mandro, Florian Bjanku, Juliana Bylykbashi, Kreshnik Myftari.

Edhe më 14 shtator, opozita e mazhoranca nuk gjetën dakordësi, dhe sërish u bë me short, ku në atë komision, gogla nxorri emrin e Florian Bjankut, i cili në seancën e shkuar plenare nuk mori votat. Duke qene se anëtarët e nënkomisionit nuk bien vazhdimisht dakord për asnjë kandidaturë, me shumë gjasë edhe Arta Mandro nuk do marrë votat në Kuvend pasi duhen 84 vota, shumicë që është thuajse e pamundur të arrihet.

Kandidaturat për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë jane nga trupa e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidati i listës konsiderohet i zgjedhur.