Rita Ora nuk i ka mbajtur lotët teksa foli për rastin e 11-vjeçares së përdhunuar mizorisht për disa orë nga 5 burra në Prishtinë, ngjarje e cila ka tronditur opinionin publik si dhe ka shkaktuar protesta në Tiranë e Prishtinë.
Këngëtarja ka mbajtur një konferencë për shtyp para koncertit ku u shfaq krah kryebashkiakut Erion Veliaj dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Por, fillimisht artistja u ndal te vajza, rast i cili i ka tronditur të gjithë. Rita u shpreh e përlotur se kjo na bëri të kuptojmë se sa e rëndësishme është të kemi një fokus në këto çështje dhe sa e rëndësishme është të punojmë me fëmijët që këto mos të përsëriten.
“Pak kohë më parë ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi një fokus në këto çështje të rëndësishme dhe sa e rëndësishme është të punojmë me fëmijët që këto mos të përsëriten. Shpresoj që prindërit dhe e ardhmja e vendit tonë të ndryshojë dhe ndihmojë gratë. Dhe bashkë me burrat të mësojnë për të drejtat e barabarta. Ju dërgoj gjithë respektin dhe dashurinë familjes së 11 vjeçares. Përveç kësaj dua t’i ftoj të gjithë të bëhen pjesë e koncertit në shesh dhe të falenderoj Britaninë e Madhe për ndihmën dhe mbështetjen”, u shpreh Rita e përlotur.
Rasti i 11-vjeçares, e cila u përdhunua nga 5 meshkuj për disa orë me radhë, ka nxitur reagimet e shumë personazheve publikë shqiptarë. Vip-at ishin gjithashtu pjesëmarrës në protestat e mbajtura në Prishtinë dhe në Tiranë. Kujtojmë se edhe mamaja e këngëtares me famë botërore, bëri një reagim të gjatë në profilin e saj në rrjetet sociale.
Në një video të publikuar në profilin e saj në Instagram, Vera shprehej se ky është një akt që duhet të dënohet ashpër, ndërsa ngre dhe disa pyetje të rëndësishme. Më tej Ora shprehet se sipas saj ky grup prej 5 personash që kanë abuzuar me 11-vjeçaren, mund të jetë i drejtuar nga një lider psikopat, për të cilin duhet të kryhen hetime. Sipas saj ky mund të jetë një sulm i organizuar me ndonjë apo me ndonjë qëllim, me ndonjë hakmarrje që mund të këtë ndonjë prapavijë.