Thellohet ngjarja tronditëse në Prishtinë, ku një vajzë e mitur u përdhunua nga 5 të rinj javën e kaluar.

Pas arrestimit të të rinjve që akuzohen se abuzuan seksualisht me të, u raportua se 11-vjeçarja ishte zhdukur në muajin qershor dhe ishte trafikuar.

Për këtë rast, policia e Kosovës ka vendosur në pranga edhe 6 persona të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në zhdukjen e të miturës pak muaj më parë.

“Pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022 ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore”, informon Prokuroria e Prishtinës.

Gjashtë të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penalesi “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.

“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona celularë. Javën e kaluar u u zbulua skandali se një 11 vjeçare ishte përdhunuar nga pesë persona. Personat e dyshuar janë arrestuar nga Policia dhe ndodhen në paraburgim.

Për 11 vjeçaren më pas u bë e ditur se edhe në qershor ka qenë viktimë e trafikimit dhe ishte raportuar e zhdukur.