Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi sot një takim me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron. I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk dha detaje pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Pas takimit që Lajçaku mbajti së bashku me këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, ai tha se patën një diskutim të rëndësishëm me Kurtin.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

Qëllimi i vizitës së diplomatëve evropianë është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe dy këshilltarët evropianë do të vizitojnë Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Vuçiç.
Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja. Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut.