Dhjetë persona kanë humbur jetën, tre janë zhdukur dhe 50 janë plagosur nga përmbytjet masive në Marche në provincën e Ankonës në Itali.

Kërkimet për tre personat që rezultojnë të zhdukur nga përmbytjet në Marche, mes tyre dhe një fëmijë 8-vjeçar, në provincën e Ankonës në Itali, vazhduan gjatë gjithë natës, por pa rezultat.

Zjarrfikësit kanë bërë një punë të pandërprerë, gjithashtu edhe për të ofruar ndihmë për të zhvendosurit, pasi shtëpitë e tyre u kthyen në të pabanueshme për shkak të ujit dhe baltës.

Ndërkohë shërbimi i ujit brenda banesave dhe bizneseve që ishin ndërprerë në zona të ndryshme që nga mëngjesi i djeshëm është rikthyer pjesërisht.

Zona e Marche u përmbyt nga reshje shiu, të cilat bien zakonisht në gjashtë muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga CNR, kjo është stuhia më intensive e 10 viteve të fundit e shkaktuar, sipas të gjitha gjasave, nga vapa e jashtëzakonshme e verës.

“Ra shiu brenda pak orësh një e treta e shiut që bie normalisht në këto zona në një vit”, thotë kreu i Mbrojtjes Civile Fabrizio Curcio.