Nga Dr.Arben Ramkaj
Sulmet e rënda kibernetike të kohëve të fundit nga hakerat e udhëzuar sipas qeverise shqiptare nga Ministria e Inteligjencës së Iranit, ndaj infrastrukturës dixhitale dhe asaj të sigurisë, kanë paralizuar përkohësisht funksionimin e shërbimeve online në portalin ealbania, dhe këtë fundjavë shkaktuan një kaos të vërtetë në portet dhe aeroportet e vendit, për shkak të sulmit kibernetik ndaj sistemit TIMS.
Këto ngjarje me përmasa të paprecenta deri më sot, kanë sjellë reagimin e fortë të Tiranës zyrtare, që pas konsultimeve me aleatët tradicionale, vendosi shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike midis 2 vendeve, dhe dëbimin e gjithë trupës së ambasadës së Iranit në vendin tonë.
Ky gjest ekstrem, ka rikthyer debatin nëse Shqipëria bëri mirë që pranoi disa vite më parë kërkesën e aleatit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara, për të strehuar mijëra anëtarë të organizatës iraniane Mujahedin-e-Khalq (MEK) ose Luftëtarët e Lirisë, që konsiderohet nga Perëndimi si opozita në mërgim ndaj regjimit të Teheranit.
Përplasja ballore Shqipëri-Iran do të ketë dinamikat e veta, të cilat janë aktualisht në ndryshim të shpejtë. Por unë gjykoj se në këtë diskutim duhet të saktësohen disa gjëra, të cilat nuk mund të lejohen të bien pre e politikës së ditës apo reagimeve emocionale.
Së pari vendimi për pritjen e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri, nuk është vetëm një vendim i qeverisë Rama. Ai është një vendim i marrë fillimisht që nga qeveria Berisha, pas kërkesës zyrtare të SHBA-së.
Së dyti, është një vendim i marrë me konsensus nga politika shqiptare.
Së treti është e vërtetë që në shoqërinë shqiptare nuk pati një debat serioz në lidhje me efektet pozitive dhe negative të mikpritjes se tyre. Por e vërteta është se ka pasur një konsensus politik për t’i pranuar dhe për t’i strehuar. Rrjedhimisht mund të pretendojmë se ka pasur një miratim të shumicës së shoqërisë për pranimin e tyre.
Së katërti, duke e ditur që kjo organizatë cilësohet edhe si opozita iraniane, Shqipëria i mori parasysh që në fillim rreziqet e mundshme. Pra që ky akt mund të shkaktonte probleme diplomatike me Iranin. Kjo pasi Irani është një vend d shumë i rëndësishëm në Lindjen e Mesme, një vend lider në atë që quhet rëndom Hënëza Shite.
Irani është një pol i madh energjetik dhe ekonomik. Dhjetë vitet e fundit ai ka kryer një ekspansion të konsiderueshëm politik dhe ushtarak, dhe e ka zgjeruar ndikimin e tij në vendet e Gjirit Persik. Po ashtu ka shkaktuar destabilitet ne Jemen, Liban, Siri apo Irak, gjë që tregon se kemi të bëjmë me një shtet të rëndësisë së veçantë.
Pesha e tij specifike, dëshmohet nga beteja e madhe që zhvilloi administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump për ta gjunjëzuar Iranin, dhe për të balancuar forcat. Ndaj midis vendeve arabe dhe Izraelit u nënshkrua një pakt i cili u quajt Marrëveshja e shekullit.
Ai synonte në thelbin e tij forcimin e boshtit arab, dhe nëpërmjet tij rrëzimi i regjimit aktual në Teheran. Megjithatë ky synim nuk u arrit, dhe administrata aktuale e presidentit Xho Bajden, nuk e sheh si një zgjidhje të përhershme rrëzimin e regjimit në Teheran nëpërmjet një ndërhyrjeje ushtarake te drejtpërdrejtë.
Përkundrazi, ajo synon dobësimin e tij, me qëllim detyrimin për të nënshkruar një marrëveshje të re me SHBA-në dhe 5 fuqitë e tjera të mëdha, për të shmangur prodhimin e armës bërthamore, dhe firmosjes së një marrëveshje të re me Republikën Islamike te Iranit.
Kjo situatë e bën Iranin, së bashku me Turqine, Arabinë Saudite, një nga lojtarët kyç në Lindjen e Mesme.
Rolin e tij aktiv e përforcon edhe konflikti i gjithanshëm që ka përfshirë tashmë shumë aktorë të globit, sa i përket krizave luftarake dhe ekonomike që po njeh bota e re dhe moderne, siç është pushtimi rus i Ukrainës, por edhe konflikti i tej-zgjatur i Sirisë.
Së pesti, panorama gjeopolitike aktuale e bën Shqipërinë pjesë të këtyre lojërave të mëdha globale. Edhe pse duke qenë një aleate me peshe specifikisht të vogël e SHBA-së, vendi ynë ka pranuar të ketë rol në këtë përballje të madhe. Prandaj Shqipëria ka pritur ata, për të cilët çdo shtet do të mendohej dy herë para se ta bënte:opozitën iraniane që sot jeton në Manëz.
Është pikërisht ky akt që e nxiti Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei, ta etiketojë Shqipërinë si një “vend të së keqes që drejtohet nga Satanai” sipas ligjit të liderit suprem. Dhe tashmë kemi pësuar disa sulme kibernetike, që e kanë rrezikuar seriozisht sigurinë kombëtare, dhe të provuara tashmë se janë kryer nga Irani.
Së gjashti, këto sulme po ndodhin në sfondin e një situate tashmë të tensionuar në Ballkanin Perëndimor, e cila po krijon pasiguri, sidomos në kufijtë tanë jugore me Greqinë, që është në prag të një konflikti të hapur me Turqinë fqinje. Apo marrëdhëniet ende të tensionuara midis Serbisë dhe Kosovës që në rastin e konflikti ushtarak, do ta poziciononte lehtësisht vendin tone në krah të Republikës së Kosovës.
Së shtati, kjo ndërthurje apo mbivendosje situatash të ndera, e vendos edhe Shqipërinë në një udhëkryq sigurie, gjë që duhet parë sigurisht si diçka e re në këto 30 vitet e fundit. Gjatë këtyre 3 dekadave demokraci Shqipëria është mbrojtur nga “terrorizimi”militant por jo të jetë përballur me ndonjë rrezik konkret.
Ndërkohë, tani ajo po përballet me një kërcënim dhe konflikt të hapur, i cili vjen një shtet i Lindjes së Mesme, dhe që konsiderohet si boshti i të keqes në rajon nga aleati ynë, SHBA-ja. Kjo lloj beteje kërkon tashmë një ndërgjegjësim shoqëror.
Së teti, unë në gjykoj se ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të rreshtohet realisht me shtetin shqiptar për sa i përket kësaj përplasjeje, për të cilën ndoshta shteti ynë nuk ka qenë i përgatitur, apo nuk i ka studiuar thellë pasojat, që e vendosin në një pozicion të drejtpërdrejtë të një konflikti me boshtin që i kundërvihet SHBA-së.
Shqipëria ka kryer një shërbim të jashtëzakonshëm si një anëtar i NATO-s në këtë lloj beteje. Por tashmë ajo po vuan edhe pasojat e rreshtimit të saj në këtë aleancë, të cilën populli shqiptar e ka zgjedhur me dëshirë. Shqipëria mund të ndiqte dhe një kurs tjetër me Republikën e Iranit, atë të ndërmjetësimit dhe neutralitetit.
Diçka që e bëjnë shume vende evropiane. Një kurs, i cili do ta konceptonte me “zero probleme” diplomacinë e jashtme. Por Tirana zgjodhi rrugën e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe vendosjen e Iranit në një pozicion të vështirë ndërkombëtar, pikërisht në kohën kur ky i fundit është shumë pranë nënshkrimit të marrëveshjes me vendet kryesore të BE-së dhe SHBA-në.
Mesa duket, strehimi humanitar i luftëtarëve të lirisë, konceptohet nga Irani si një akt lufte. Dhe tani ne e gjejmë veten në mesin e cikloni politik. Prandaj e nënvizoj se sulmi kibernetik i paprecedentë kundrejt Shqipërisë nga Republika e Iranit, si dhe dy konflikte me gjasa në kufi të Shqipërisë ai i Turqisë me Greqinë, dhe konflikti Serbi-Kosovë, duhet ta vendosin spektrin politik shqiptar në një llogore të përbashkët.
Kjo krizë ndërkombëtare që po kalojmë, nuk është një krizë e stisur, por është kulmi i asaj që prodhon konflikti Rusi-Ukrainë. Unë shpresoj që politikë-bërja e marrëdhënieve me jashtë, të sjellë vërtet efektet pozitive që shoqëria shpreson të shohë nga rreshtimi i saj me aleatët e saj perëndimorë. Pra të mos rezultojë thjesht një rreshtim pa kushte. Por të jetë një rreshtim që strategjikisht t’i shërbejë të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe forcimit të pozitave të tyre në Ballkan.
Së fundmi, është shumë e rëndësishme që shoqëria shqiptare të solidarizohet me shtetin shqiptar. Pozita dhe opozita, duhet të lënë mënjanë dasitë politike, dhe të shfaqin një qëndrim dhe qasje të përbashkët, në mënyrë që kundërshtari ynë ta kuptojë se sulmet kibernetike apo çdo lloj agresioni tjetër është i papranueshëm.