Mero Baze
Sali Berisha pranoi sot se Partia Demokratike është financuar nga Rusia, por se Lulzim Basha ka zhdukur dokumentet dhe ata nuk kanë fakte në dorë.
Ai po ashtu përsëriti akuzën e tij, se falë këtij krimi, Lulzim Basha ka qenë peng tek SHBA dhe u detyrua të distancohej dhe nga Sali Berisha.
Natyrisht që nuk është serioze të marrësh seriozisht Sali Berishën kur bën deklarata, por meqë tema është shumë e ndjeshme, pasi në këtë rast dëgjojnë dhe të huajt, duhet të sqarojmë kuptimin e atyre që thotë.
Ajo që thotë Berisha, është se PD është financuar nga rusët, por përfituesi ka qenë Basha si pro-amerikan, dhe falë financimit rus, Berisha është zbuar nga PD prej Bashës.
Pra në finale Berisha do të thotë se financimi rus është përdorur nga amerikanët për të larguar Berishën nga PD.
Pra më shkurt i bie që amerikanët kanë përdorur paratë ruse për të larguar Berishën nga PD përmes Bashës.
E kuptoj që është e lodhshme se është marrëzi, por është një marrëzi që duhet shpjeguar.
Dhe i vetmi shpjegim është se Berisha nga 9 shtatori i vitit të kaluar e derisa të vdesë, botën do ta shpjegojë me Lulzim Bashën.
Ja sa thjesht e shpjegoi sot. Pranoi që PD ka marrë para ruse, pranoi dhe që këto para i ka marrë Basha dhe meqë amerikanët e kapën, ai u detyrua të shiste Berishën që të shpëtonte.
Tani ky pretendon të drejtojë PD-në më tej, PD-në që ka marrë para ruse, dhe që do të ketë kryetar partie një anti-amerikan.
Po përse do paguanin më shumë rusët se sa për të vënë në krye të PD-së një anti-amerikan?
Atyre vetëm në PD nuk u paskan ikur paratë dëm.