Petro Koçi ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në Vizion Plus, ku ka folur për zgjedhjet lokale. Ai tha se niveli i opozitës sot flet vetë për rivalitetin që pritet të ketë edhe në këto zgjedhje. “Opozita nuk është e aftë dhe e bashkuar për të konkurruar denjësisht Partinë Socialiste në zgjedhjet që po trokasin. Objektivat e PS për fitoren e këtyre zgjedhjeve nuk vihen fare në dyshim. Opozita udhëhiqet akoma nga lidership non grata,” tha Koçi.
Ai shtoi se ka marrë fund koha kur vihet në pushtet me përmbysje e trazira, sot çdokush që provokon prishjen e rendit publik përfundon para drejtësisë. “Berisha ka përgjegjësi direkte në shumë ngjarje kriminale në vend. Në zgjedhjet e Libofshës, në zgjedhjet e ‘96, në 14 shtator 98, në ngjarjet e ‘97, në 21 janar etj..
Dikur shteti ka qenë i dobët. Tani çdokush që do cenoje rendin kushtetues dhe atë publik do të mbajë përgjegjësi penale,” deklaroi.
Ai foli dhe për zgjedhjet në Fier ku përjashtoi veten si kandidat dhe tha se do ishte mirë të vinte një grua: “Kandidaturat për kryetar bashkie në Fier kane qenë gjithmonë burra. Besoj ka ardhur koha për kandidate grua. Ky është mendimi im. Por unë do të mbështes kandidaturën që do përcaktojë PS. Nuk do bëj atë që bëri një pjesë e administratës së Bashkisë kundër meje në 25 Prill 2021. Nuk jam ajo kategori politikanësh që mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi unë i mbetem borxhli PS. Mos prisni nga unë të ndërroj vendbanimin për të kandiduar për kryetar Bashkie. Lufta dhe qëndrimet e mia politike nuk kanë asnjë prapavijë me objektiv personal”.