Nga Ylli Pata
Në këto ditë, kur po afrohet dita e zgjedhjeve parlamentare në Itali, klima ka marrë edhe nota të larta tensioni e përplasjeje.
Një duel mes dy ish-kryeministrave, rivalë të ashpër në politikë, u bë ngjarje kryesore çka ndryshoi për pak kahjen e diskutimit publik.
Ish-kryeministri, Giuseppe Conte, ka sulmuar ashpër parardhësin e tij Matteo Renzi, i cili ka kërkuar anulimin e një asistence sociale-“reditto di citadinanza”, që shkon prej 600 eurosh në muaj, e që ju jepet të papunëve. Kjo masë është më shumë e shpërndarë në zonën e Jugut të Italisë, e cila është edhe më e varfër ekonomikisht.
Conte, deklaroi se Renzi, duhet të vinte në Palermo pa eskortë, e t’ua shpjegonte siçilianëve qëndrimin e tij për asistencën sociale.
Matteo Renzi, i cili ishte përballë me pasardhësin e tij në trasmetim live në TV, e konsideroi këtë deklaratë, një nxitje të dhunës, të urrejtjes dhe yshtje për ta sulmuar fizikisht. Këtë e konsideroi si impotencë për ta trajtuar debatin politik me argumente.
Ndërsa në Shqipëri, ky mekanizëm, pra dhuna dhe yshtja e saj, ka qenë mjet politik thelbësor në tranzicionin e gjatë e të lodhshëm shqiptar.
Gruaja e moshuar nga Puka, e cila në takimin me Sali Berishën, kërkonte leje për t’i futur një plumb Edi Ramës, e doktori u shkri së qeshuri, e ka të dëgjuar këtë refren ndaj dhe e përmendi.
Para disa vitesh, Jozefina Topalli, atëherë kryetare Parlamenti tha në një emision televiziv se Gramoz Ruçi meriton “plumbin ballit”. Ndërsa Sali Berisha, e ka pasur instrument të përhershëm, kërcënimin fizik ndaj kundërshtarëve, duke u parashikuar edhe funde të frikshme.
Gruaja nga Puka, e ka dëgjuar nga Ilir Meta, i cili flet ditë për ditë për “thyerje në mes”, grushta, “kosore e sfurqe”, “armatosje”, apo edhe Monika Kryemadhi që para ca kohësh u betua se “do t’ja hante veshin Edi Ramës”.
Kjo mënyrë e të bërit politikë është praktikuar e praktikohet çdo natë në panelet e darkës, ku ka kërcënime, dhunë verbale e sharje, madje edhe prej profesorëve të lëndëve të fillologjisë-pra fjalës.
Siç shikohet edhe nga “iranleaks’-i shqiptar, pra rrjedhja e emailave të policisë, edhe oficerët e lartë të Policisë së Shtetit përdorin shprehje të denjë të bullizmit të dikurshëm të klasës së gjashtë. “Plehrë, mu zhduk, dil përjashta”, u raportua si një diskutim “pa shumë tension” mes kryepolicësh.
Është pikërisht kjo mënyrë e diskursit publik në vend, që është përdorur me qëllim për të mbajtur të karikuar njerëzit poshtë, për t’i mbushur me urrejtje, e më pas për ta vjellë këtë mllef në rrjete sociale e ekrane televizioni.
Pasi, kur vjen puna për vete, politikanët e rangut të lartë në Shqipëri, jo vetëm që nuk janë vrarë, por janë puthur, përqafuar, kanë bërë marrëveshje, pakte, kanë qeverisur së bashku, kanë ngrënë dreka e darka.
Pranojnë sms me njëri-tjetrin për të shkëmbyer favore të “vogla” ata që quhen “ndere jete” për njerëzit e thjeshtë. Shikoni institucione të larta shtetërore si Banka e Shqipërisë, AKEP, ISSH, apo çerthe të tjera pëllumbash ku janë sistemuar familjarë e kruqshqi, nuse e kunata të politikanëve, që jo vetëm nuk i luajnë nga vendi njerëzit e kundërshtarëve, por kujdesen që të ndihen më mirë.
Është një pakt i pashkruar që ka funksionuar shumë herë më mirë se marrëveshjet publike që janë përdhosur pas 5 minutash nga ceremonia e firmosjes.
“Plumbi Ballit” në publik është një kod, një mënyrë për të mbajtur të karikuar pjesën radikale të elektoratit, e kështu për të krijuar ishuj e gadishuj bastionesh, ku krerët e politikës trajtohen si Bajlozi i Zi me Gjergj Elez Alinë, por me raport të përmbysur sipas preferencave politike.
Por ky raport ka ndryshuar e po ndryshon gjithnjë e më shumë, jo vetëm tek ai që quhet elektorati gri, por edhe tek militantët e dikurshëm, që kanë hapur sytë e po e shikojnë situatën më me realizëm.
Natyrisht bëhet fjalë brenda opozitës, e cila që prej një viti kur Sali Berisha u ndëshkua nga SHBA, ka nisur një proces reflektimi e diskutimi, i cili nuk kthehet mbrapsht. Sidomos tek intelektualët e së djathtës, të cilët po e çojnë çdo ditë këtë diskutim në një zhvillim të ri.
Edhe pse i ngadalshëm, ky proces do të ecë vetëm përpara. Pikërisht kësaj i druhen dy përfaqësuesit e vjetër të politikës 30 vjeçare; Berisha e Meta, të cilët e kanë rritur dozën e dhunës verbale, e do ta bëjnë akoma edhe më shumë.
Ata nuk kanë ç’i bëjnë “mendjeve të lira” dhe që do të vendosin me racionalitet dhe logjikë për fatet e opozitës, por duan të mbajnë sa më shumë skifterë pas vetes, për të trembur sa më shumë njerëzit e lirë, siç kanë bërë këto 30 vjet.
Por në fakt, askush nuk trembet më nga dordolecët politikë të kastës 30 vjeçare që luajnë me kartën e frikës. Dhuna është shenjë e qartë impotence edhe kur bëhet në të vërtetë, jo më kur shantazhon pa fund.
Të gjitha organizatat e dhunshme ekstremiste në botë, sa herë ju kanë hyrë mjeteve të dhunës, terrorit, sulmit fizik apo atentateve, janë shkatërruar më shpejt. E meqë ra fjala te “organizatat e dhunshme”, para pak vitesh ka pasur edhe paraljmërim të fortë, edhe në Tiranë për nga dy parti që dy ditë para zgjedhjeve vendore të 2019-s, dogjën material e komisione elektorale…