Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurimit arrest me burg për themeluesin e “Thodex”, Faruk Fatih Özer i cili u arrestua në jug të vendit tre ditë më parë. Özer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka mashtruar 400,000 persona, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptovaluta në bursë.

Kërkesa, që Report TV disponon është firmosur nga drejtuesi i prokurorisë Elbasan, Kreshnik Ajazi dhe është paraqitur në gjykatë, ku të premten e 2 shtatorit do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë. Mësohet se Özer nuk ka marrë avokat, por do të caktohet kryesisht nga gjykata.

“Arrestimi i tij është bërë pasi autoritetet e drejtësisë turke kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore turke dhe konkretisht me vendimin nr.2024/2706D.Is, datë 07.05.2021 Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit Anadollian në Turqi ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale të “Ngritja e orgazinatave me qëllim kryerjen e krimeve” dhe “Mashtrim në rrethana rënduese” të parashikuar nenet 220/1, 158/f të K.Penal të Turqisë. Maksimumi i dënimit të mundshëm për këto vepra është 10 vjet burgim”, thuhet në kërkesë.

“Nga informacioni i dërguar nga Difuzioni i Interpolit rezulton se shtetasi turk Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete dixhitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021. Për këto arsye shtetasi turk Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara”, thuhet më tej.

Prokuroria e Elbasanit thonë se Faruk Fatih Özer është identifikuar nga shenjat e gishtërinjve.

“Autoritetet turke të cilat kanë lëshuar Urdhërin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj Faruk Fatih Özer kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore.

Po kështu janë administruar dhe materialet identifikues për shtetasin Faruk Fatih Özer, ku përfshihet kartela foto-daktiloskopike dhe akti i ekspertimit daktiloskopik nr.11039, datë 30.08.2022 sipas së cilit rezulton se gjurmët e daktiloskopuar më datë 30.08.2022 i përkasin shtetasit turk Faruk Fatih Özer”.

Prokuroria e Elbasanit kërkon nga gjykata të caktojë masën e sigurimit arrest me burg me qëllim që Turqia të nisë procedurat e ekstradimit ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer.

“Miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk Faruk Fatih Özer të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Caktimin e masës provizore të sigurimit personal shtrënguese “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994, me qëllim ekstradimi e tij në Turqi”, thuhet në përfundim të kërkesës.