Kryeministri ka folur në bashkëbisedimin live edhe për protestën e pedagogëve të UT:

Rama: Është momenti për ta përsëritur se me forcë dhe ultimatume, mua dhe kësaj qeverie nuk i merret gjë, aq më tepër në kohë krize kur me gjithë rektorët kemi një tryezë të përbashkët ku diskutohen çështjet dhe do të kemi tryezë tjetër, kemi folur për rritjen e pagave por jemi në tjetër kontekst. Universiteti ka të tjera horizonte për të kapur dhe nuk është administratë publike e zakonshme, ai me gjithë reformën duhet të krijojë të ardhurat e veta.

Sot në Universitetin e Tiranës flitet për rritjen e të ardhurave të pedagogëve falë rritjes së vëmendjes ndaj programeve ndërkombëtare, kemi më shumë akses në fondet evropiane dhe kemi një numër më të madh pedagogësh që kanë të ardhura më të mira. Nuk do të bëjmë një rritje të përgjithshme të gjithë njësoj, kjo është kundër reformës. Universitetet mund ta bëjnë vetë, u kemi dhënë okej, na kanë kërkuar një miratim për rritjen e pagave të pedagogëve 20% me të ardhurat e tyre, pa cenuar asgjë tjetër. Por me buxhetin e shtetit, me paratë e taksapaguesve ne do të shikojmë çfarë i jep secili universitet taksapaguesve mbrapsht si kontribut dhe do të vlerësojmë sukseset. Po përgatisim një mbështetje të re për universitetin, që do të përfshijë edhe një rritje pagash.