Në nisje të sesionit të ri parlamentar, është mbledhur sot Konferenca e Kryetarëve për miratimin e programit të punës dhe kalendarin e punimeve të Parlamentit.Burime nga e djathta konfirmojnë se janë përfshirë në kalendar tre nismat e tyre ligjore. PD kërkon që burgu i SPAÇ dhe Tepelenës të kthehen në muze kombëtar. Së dyti, kërkohet deklasifikimi i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe së treti nisma për dekomunistizimin.Edhe burime nga Partia Socialiste konfirmojnë se janë futur në kalendarin e punës nismat e tyre ligjore për dhënien fund të karrierës politike të politikanëve që figurojnë të kenë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.
Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët, janë në ligjin e dekriminalizimit. Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.
Ndërsa ndryshimi i ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në Sigurimin e Shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.