Ministria e Ekonomisë e Gjermanisë po shqyrton masa për të kufizuar biznesin me Kinën, pasi ajo kërkon të reduktojë varësinë nga superfuqia aziatike, i thanë Reuters dy burime të njohura me këtë çështje.
Sipas tyre, masat mund të përfshijnë reduktimin apo edhe ndalimin e investimeve dhe lëshimin e garancive të eksportit për Kinën dhe ndalimin e promovimit të panaireve tregtare kineze dhe trajnimin e menaxherëve kinezë.
Huatë nga huadhënësi shtetëror KfW mund të ridrejtohen në projekte në vende të tjera aziatike, si Indonezia, në përputhje me përpjekjet e qeverisë për të diversifikuar tregtinë dhe për të zgjeruar lidhjet e biznesit me ato që ministria i quan demokraci.
Ministria po konsideron gjithashtu të kontrollojë jo vetëm investimet kineze në Gjermani, por edhe investimet gjermane në Kinë, tha një nga burimet për Reuters.
Qeveria po shqyrton gjithashtu paraqitjen e një ankese në Organizatën Botërore të Tregtisë, së bashku me anëtarët e G7, mbi praktikat e padrejta tregtare të Kinës, tha një burim tjetër.
“Ne duhet t’i tregojmë Pekinit se jemi gati të luftojmë për parimet e drejtësisë,” tha burimi.
Një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë refuzoi të komentojë mbi masat specifike të përshkruara, por tha se ministria po shqyrton masat e synuara “për të mbështetur diversifikimin (të tregtisë dhe zinxhirët e furnizimit) dhe për të forcuar elasticitetin”.
Ministria ka vendosur tashmë se nuk do të japë më garanci investimi për projektet në rajonin e Xinjiang dhe do t’ua mohojë ato kompanive me marrëdhënie biznesi në rajon, duke përmendur shqetësimet për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mungesën e informacionit të besueshëm.
Në maj, për shkak të Xinjiang-it, Volkswagen-it iu mohuan garancitë për investime të reja në Kinë, kujton Reuters.
Planet e reja të qeverisë shënojnë një largim nga politika e Berlinit nën ish-kancelaren Angela Merkel, e cila shpesh udhëtonte në Kinë dhe sillte me vete delegacione të mëdha biznesi. Ndërsa ajo ishte në krye të qeverisë gjermane, lidhjet ekonomike kino-gjermane po lulëzonin.
Kina u bë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2016, duke mbështetur rritjen e udhëhequr nga eksportet e ekonomisë më të madhe të Evropës.
Vitin e kaluar, tregtia e tyre kaloi 245 miliardë euro.
Prodhuesit gjermanë të makinave janë veçanërisht të ekspozuar ndaj tregut kinez.
Kështu, Volkswagen bën afërsisht gjysmën e fitimeve të tij në Kinë, vëren Reuters.
Gjermania dhe Evropa gjithashtu blejnë lëndë të para nga Kina, veçanërisht metale të rralla.
Pas raportimeve se Berlini po rishqyrton strategjinë e tij tregtare, Ministria e Punëve të Jashtme kineze njoftoi se Pekini shpreson për një politikë ekonomike gjermane “pragmatike dhe racionale” ndaj Kinës.