Nga Ylli Pata
Lulzim Basha nuk krahasohet as me vite, as me lidhje, as me know how me Sali Berishën. Lulzim Basha erdhi në PD si djalë politik i Berishës, pasi kishte “bredhur” nja tre ministri kryesore të qeverisë së doktorit dhe bashkinë e Tiranës.
Deri sa ishte delfini i doktorit, Lulzim Basha e kishte të siguruar përkrahjen, votat, lidhjet, fuqinë politike, apo edhe ndërkombëtare, por si gjithmonë e gjithë kjo fuqi, ka kufizimet e veta.
Sepse nuk ka sesi të krijosh një fuqi lidershipi, nëse nuk je lider nëse nuk merr vendime. E të gjitha vendimet që Lulzim Basha i ka marrë nën hijen e Berishës, ata janë vendime të doktorit, edhe pse doktori mund të ishte kundër.
Po xhanëm doktori, asnjëherë, kurrë nuk ka qenë kudnër vendimeve të Bashës, edhe pse influence e tij mund të kishte efekt si 127-a, që do të thotë, që gjithçka kthehej siç ka qenë.
Ta lëmë rastin Olldashi, pasi përveç të tjerave ai nuk është rast por një zhvillim politik i rëndësishëm i PD-së, edhe i opozitës shqiptare. Por po merremi me vendimin e parë të rëndësishëm, madje shumë të rëndësishëm të Lulzim Bashës, ku largoi me një të rënë të lapsit të gjithë pjesën e PD-së që vinte nga Berisha.
Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Arben Imami, Astrit Patozi, Majlinda Bregu etj, emra dhe figura të rëndësishme politike të së djathtës që u larguan me një firmë nga Lulzim Basha. Nëse Sali Berisha nuk do të ishte dakord, ai me një intervistë të nesërmen, do të rrëzonte gjitçka. Siç e pamë realisht pas 9 shtatorit.
Lulzim Basha ishte njeriu që ka përfaqësuar Sali Berishën, konceptin, idenë e tij të trashëgimisë së PD-së, të cilin e ka menduar dhe zhvilluar me heshtje e me kujdes, por natyrisht që gjërat në një vend të vogël si i yni janë gjithmonë të komplikuara.
Asnjë vendim i Lulzim Bashës nuk i ka rënë ndesh “babait” të tij, përveçse ajo që Luli tentoi më 17 maj 2017 të bëhej lider, në marrëveshjen me Edi Ramën. Këtu ja vlen të qëndrojmë. Me ç’ka thënë Lulzim Basha, ishte Rama i cili e prishi marrëveshjen por pa dhënë detaje. Në publik kjo deklaratë u kuptua si një lloj bashkëqeverisje, ndarje pushteti.
Por kjo është tjetër gjë: politikisht, të nesërmen Sali Berisha i ka hequr Lulzim Bashës më shyumë se 200 mijë vota, duke ja dhënë Ilir Metës. Po përse Berisha e bëri këtë, kur në publik, e mbrojti marrëveshjen e Ramës me Bashës, e cila në afatshkurtër parashikonte një qeveri të përbashkët siç e dime, afatmesëm zgjedhje normale e afatgjatë si thotë Basha-bashkëqeverise. Siç thotë Rama: bashkëpunim për gjërat e mëdha të vendit.
Në fund, ndoshta Lulzim Basha edhe mund të ketë të drejtë. Rama ja futi, nuk bëri një qeveri të përbashkët me të para 2917-s, kur pak muaj më para Basha kërkoi nga Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla që ti arrestonte ish-ministrin e Brendshëm. Por edhe Rama mund të ketë arsyet e tij.
Dilema është, se përse Sali Berisha nuk e përkrahu Lulzim Bashën më 17 maj 2017? Pasi pikërisht mendoi se atë natë Luli ishte bërë realisht kryetar i Partisë Demokrike. Basha, i cili vinte në politikë si staticien e shfrytëzoi këtë moment të doktorit, dhe mendoi të largonte të gjithë emrat me peshë në PD, nga Topalli, Patozi, Bregu apo Imami me logjikën se do të qeveriste i qetë opozitën.
Por pas 25 prillit 2021, Lulzim Basha ishte jetim, pasi nuk kishte me vete as Jozefinën, as Astritin, as Imamin, as Majlindën, por që këta duhen shumëzuar me koeficientin që ka baza.
Lulzim Basha, ishte më i brishtë kur largoi njerëzit që kishin histori në PD. Ama që prej një viti, Lulzim Basha, e ka treguar se është realisht personi që shkaktoi aq zhvillime që nuk e ka bërë asnjëri prej atyre që ai gabimisht e pa asnjë të drejtë përjashtoi.
Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën. Një zhvillim që brenda opozitës nuk e përkrahin të gjithë, madje një pjesë e madhe e zhurmshme e urrejnë Bashën për këtë. Por Luli e tregoi se e mori një vendim. E sot, kur PD është realisht e orientuar nga shpresa që hapi Lulzim Basha, ky i fundit i braktisi.
Ka pasur shumë udhëheqës të PD-së që kanë bërë përballje me Sali Berishën e kanë humbur. Që nga Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Gramoz Pashko e shumë të tjerë. Por asnjëri prej tyre nuk e ka përjashtuar Sali Berishën nga Partia Demokratike. Edhe pse kush i njeh të gjithë këta intelektualë, edhe mund ta bënin fundja se ata ishin së paku në dukje idealistë.
E nga kjo logjikë, Lulzim Basha, edhe pse bëri hapa prapa, ai nuk mund ta lërë PD në dorën e interesave të momentit apo të influencave që sjellin lëvizjet e parave. Basha, duhet të orientojë krahun që jo vetëm luftoi, por sot është i mallkuar në PD.
Pasi ta bëjë këtë, pastaj le të ikë, por në fillim të çojë betejën e nisur deri në fund. Ose të largojë Berishën nga PD, ose të distancojë Partinë Demokratike nga Sali Berisha. Ndryshe, nuk ka aspak çudi që copa të kësaj opozite do t’i kapin o vetëm peshkaqenë si Meta, por edhe grupe të vogla, që përfitojnë nga kaosi…