Nga Ylli Pata

Qëndrimi i Taulant Ballës në Parlament se Bashkimi Europian pritet t’i bashkohet SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në sanksionet ndaj Sali Berishës, nuk ishte aspak një lajm i ri.Sinjali për këtë çështje kishte ardhur prej kohësh nga Parlamenti Europian, nga CDU-ja gjermane-parti aleate me PD-në, por edhe autoritete të tjera. Ndërkaq, edhe logjika e një veprimi të koordinuar të aleatëve perëndimor në luftën ndaj korrupsionit në Ballkan e afron krejt normalisht këtë mundësi.Deklarata e Ballës, sipas të gjitha gjasave do të merret nga njerëzit e Sali Berishës si një ganxhë për tu varur politikisht për tu viktimizuar, duke përsëritur se doktori është halë në sy të Edi Ramës etj etj, por duket se edhe vetë njeriu i interesuar ka dijeni për këto zhvillime të reja.E duket se si pasojë e këtyre zhvillimeve që vijnë nga jashtë, Berisha nuk e ka avancuar pozitën e tij në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Me fillimin e sezonit të ri, të gjithë prisnin një betejë të fortë në radhët e opozitës për të ndryshuar ekuilibrin politik në grupin e PD-së.Por kjo nuk ka ndodhur. Ndërsa Alibeaj, me guxim politik ka futur grupin për të votuar, ku ka mbledhur 28 deputetë, Sali Berisha, jo vetëm që nuk ju përgjigj këtij akti, por as nuk ka tentuar për tu regjistruar në Kuvend si grup i pavarur, apo si i bashkuar me deputetët e ish-LSI-së.Flamur Noka, numri dy i partisë së Berishës protestoi në Kuvend për mënyrën sesi kryeparlamentarja Nikolla e trajton Berishën dhe dy deputetët e tjerë që nuk janë anëtar të grupit të PD-së, por në këtë rast si Berisha e si Noka nuk kanë viktima.Në hapësirën mediatike, kryesisht atë televizive, Sali Berisha vijon të quhet kryetar i Partisë Demokratike, por që në Parlament ai nuk është anëtar i grupit të partisë që drejton. Një logjikë tipike surreal që vetëm në Shqipëri mund të ndodhë.

Berisha nuk është kryetar i Partisë Demokratike, siç nuk është anëtar i grupit parlamentar të saj. Ai është kryetar i një partie të krijuar nga çarja e PD-së, por që ende nuk është ligjëruar apo formalizuar, pasi pritet vendimi i Gjykatës së Apelit mbi të drejtën e trashëgimisë juridike të Partisë Demokratike. Kjo është gjendja ligjore e situatës në PD, e duhet të trajtohet si e tillë, kurse vetë Berisha ka mbetur në stand by në lidhje me aksionet që ka premtuar për tu integruar me diasporën parlamentare të opozitës në Kuvend.Një diasporë, e cila ka një ndarje të tillë: grupi i PD-së institucionale që drejtohet nga Alibeaj, grupi i Sali Berishës, grupi i deputetëve as këndej as andej që përfaqësohet nga Grida Duma, grupi i Fatmir Mediut, që ka brenda Argon Dukën, Vangjel Dukën etj, pra krerët e partive aleate, grupi i Mesila Dodës, i cili ka sërish një përbërje si ai i Fatmir Mediut dhe grupi i ish-LSI-së së Ilir Metës, sot Partia e Lirisë.I gjithë ky konfigurim kaq kaotik ka vetëm një arsye dhe ky është Sali Berisha. i cili një vit më parë, kur u ndëshkua nga qeveria e SHBA-së, përçau Partinë Demokratike dhe nisi një luftë të brendshme me “pretekstin” e bashkimit të opozitës, por që në fakt e ndau edhe më shumë.Galaktika politike e opozitës në Kuvend nuk ka përse të jetë kaq e copëzuar, pasi përveç 4 deputetëve të PL-së, të gjithë të tjerët kanë ardhur nga listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. E gjithë kjo ndarje ndodhi pikërisht nga lufta që Sali Berisha i shpalli Lulzim Bashës pasi kryetari i PD-së e përjashtoi nga grupi parlamentar.

Të tjerët, nga droja për tu pozicionuar në lidhje me Sali Berishën, u grupuan në “ishuj” politik, ku si vikingët pas vdekjes së Ragnar Lothbrok, u shpërndanë në të gjitha cepat e botës; dikush në Islandë, dikush në Groenlandë, dikush në SHBA, e dikush në Skandinavi.Pikërisht kjo ndarje është dëshmia më e mirë se cilat kanë qenë pasojat politike të ndëshkimit ndërkombëtar të Sali Berishës. Njerëzit pranë tij kanë tentuar që publikisht t’I relativizojnë, duke i quajtur si vendime që nuk kanë ndikim, e ky është thelbi i të gjithë gabimeve politike.Të cilat, duke insistuar më pas hapin një hon të madh që nuk mbushet dot as me revolucione e as me bërtitje nëpër panele.Ndëshkimi nga SHBA dhe Britania e Madhe është aq serioz sa nuk mund të mos marrësh masa politike për tu përgjigjur asaj. Insistimi për të qëndruar në lojën politike të Sali Berishës natyrisht do të vijojë, pasi ai e ka shpallur me kohë që nuk do të hapë kurrë krahun apo të bëjë hap pas, por faktikisht fuqia e tij politike veçse dobësohet potencialisht, si një bateri që nuk karikohet edhe po ta lësh në korent për 24 orë.Kurse vendimi që pritet të vijë nga Bashkimi Europian, praktikisht do ta izolojë përfundimisht Berishën, duke tentuar kështu jo thjesht për të mundur kokëfortësinë e tij dhe të mbështetësve të verbër, por për t’i dhënë një shenjë të fundit “diasporës” opozitare që është shpërndarë kaotikisht në Parlament, pa pasur as edhe një vizion si do të prodhojnë modelin alternative për të mundur Edi Ramën…