Pushtimi i termocentralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës nga forcat ruse është shkaku i rreziqeve që janë krijuar, tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë bisedës së tij telefonike me Vladimir Putin.
Presidenti francez i kërkoi Putinit të tërheqë armët e lehta dhe të rënda nga termocentrali bërthamor dhe të respektojë udhëzimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për rivendosjen e kushteve të sigurisë në termocentralin Zaporizhia, sipas njoftimit për shtyp të Presidencës Franceze.
Gjatë bisedës telefonike, Emmanuel Macron “dënoi vazhdimin e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë dhe përsëriti kërkesën e tij për t’i dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur, për të filluar negociatat dhe për të rivendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Presidenti i Francës ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky lidhur me situatën “shumë shqetësuese” në termocentralin bërthamor të Zaporizhia, thuhet në njoftimin e Presidencës franceze.
Emmanuel Macron foli me Putinin edhe për çështjen e sigurisë globale ushqimore dhe i kujtoi atij se “sanksionet evropiane nuk zbatohen për produktet bujqësore apo për produktet e nevojshme për bujqësinë”, ndërsa gjithashtu i kërkoi presidentit rus të garantojë zbatimin e marrëveshjes për eksportin e drithërave për të siguruar furnizimin e atyre që janë më në nevojë.
Moska thotë se eksportet e saj të produkteve bujqësore dhe plehrave janë ende të penguara nga sanksionet perëndimore, ndërsa Vladimir Putin tha të mërkurën se shumica e eksporteve të Ukrainës shkojnë në Evropë dhe jo në vendet e varfra.