Një ish-deputet rus dhe këshilltar i Presidentit Putin paralajmëroi sot Britaninë e Madhe se qytetet e tyre mund të jenë në shënjestër të armëve bërthamore të Moskës, teksa fliste këtë mëngjes në programin Today. Sergei Markov mezi shkëmbeu një përshëndetje me prezantuesin e BBC Radio 4, Justin Webb, kur ai filloi të listonte një seri kërcënimesh për luftën bërthamore me Perëndimin, ashtu siç edhe vetë Putin bëri teksa riktheu mobilizimin ushtarak.

“Nuk është një mëngjes i mirë për të gjithë. Në Rusi ka mobilizim të pjesshëm dhe për dëgjuesit tuaj britanikë, Vladimir Putin ju tha se do të ishte gati të përdorte armë bërthamore kundër vendeve perëndimore… përfshirë Britaninë e Madhe. Qytetet tuaja do të jenë në shënjestër”, tha Markov me një gjuhë tepër të ashpër. Markov, i cili u zgjodh në Dumën e Shtetit të Rusisë në vitin 2007 duke përfaqësuar partinë Rusia e Bashkuar e Putinit, tani është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në një universitet të Moskës dhe ka një histori të përhapjes së retorikës së Putinit në mediat perëndimore.

“Nëse Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë agresore kundër Rusisë… nëse kryeministrja e Britanisë së Madhe Liz Truss ka ende një plan për të shkatërruar Rusinë, njerëzit në Londër duhet të kuptojnë kërcënimin e armëve bërthamore”, tha ai. Markov që nga fillimi nisi të dënonte përfshirjen perëndimore në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe akuzoi Perëndimin për përdorimin e ushtarëve ukrainas si ‘skllevër’ për të varfëruar ushtrinë ruse.

“Ishte absolutisht e qartë se Rusia nuk ka luftë kundër Ukrainës…nuk ka asnjë arsye për të përdorur armë taktike bërthamore kundër ukrainasve. Por Ukraina është e pushtuar nga vendet perëndimore… janë vendet perëndimore që luftojnë kundër ushtrisë ruse, duke përdorur ushtarët ukrainas si skllevër të tyre”, tha ai.Më tej Markov shtoi se “të gjithë në botë tani po mendojnë për luftën bërthamore…”.“E cila mund të jetë rezultat i sjelljes së çmendur të presidentit amerikan Joe Biden dhe kryeministrave të Britanisë së Madhe Boris Johnson dhe Liz Truss”, theksoi Markov.