Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me mbylljen e Kolegjit turk Mehmet Akif në Tiranë. Nga Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 77 të OKB, Rama shkruan se ndihet i shqetësuar për faktin që për ideo vendim kërkohet një shpjegim. Megjithatë ai ka sqaruar arsyet që çuan qeverinë në këtë vendim, ndërsa duke iu referuar reagimeve dhe protestës së sotme të nxënësve të shkollës, ai e quan të ulët përdorimin e fëmijëve nga ana e drejtuesve të institucionit në fjalë.
Postimi i plotë në Twitter i Ramës:
Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë.
Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.
Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi.