Redi Jupi mendon se FSHF ka përdorur në vite një strategji të mirëfilltë dhe të menduar për të goditur klubet dhe qytetet e mëdha të futbollit në vendin tonë.
Duke folur në “Procesi Sportiv”, ai theksoi se pse në futbollin tonë kishte kaq shumë surpriza që në javët e para të sezonit.
“Është goditur futbolli i traditës. Ka pasur strategji të mirëmenduar për të lënë të dobëta klubet e qytetet e mëdha të futbollit. Ka ndodhur para shumë viteve me Dinamon, e Partizanin në periudhë të mëvonshme, ka ndodhur me Tiranën në periudhë shumë të hershme, me Vllazninë që është një nga vatrat e rëndësishme. Flamurtari i cili nuk dihet më ku është.
Pastaj kemi qytete të rëndësishme pa të cilët futbolli shqiptar do të ishte gjysma e atij që është, me Lezhën, Elbasanin, Lushnjën, Apolonia deri diku edhe pse disa herë kishte benefitet e veta, Gjirokastra, Pogradeci, është Tomori.
Janë skuadra të rëndësishme me qytete të rëndësishme që kanë edhe numrin e caktuar të banorëve për të bërë futboll të rëndësishëm që të kesh skuadra autosufiçente që marrin nga buxhete të ndryshme.
Të gjitha janë të goditura. Janë favorizuar apo mbështetur, edhe ato jo për dashuri, por ka pasur dashamirësi ndaj tyre. Ky mekanizëm i madh ka luftuar që t’i mbajë të gjithë të vegjël, në mënyrë që sa më të vegjël e të varfër të jenë, qëndrojnë aq më të sigurt ata që drejtojnë.
Një qytet që ka tre mijë banorë… se kemi pasur skuadra me qytete me 3 mijë banorë në Superiore, mendoni se mund të mbushë stadiumin? Të krijojë lëvizje futbollistike? Të ketë ekipe moshash për skuadër të shëndetshme? Ndodh kur ka njerëz në stadium e të ardhura nga e drejta TV dhe biletat… E gjitha kjo ka bërë që këtu të mos ketë, e thashë që pas javës së parë, që po t’i hiqje fanellën Partizanit e t’ia jepje Egnatias, nuk kishte ndryshim.
Dhe jemi bërë si kampionati i Kosovës dhe Maqedonisë që një skuadër del kampion dhe vitin tjetër del nga kategoria, skuadra pa traditë, bosht e vazhdimësi.
Në një kampionat të fortë, klubet kanë bazament këto gjëra nuk mund të ndodhin. Është e mirë që skuadrat e vogla të bëjnë surpriza, por të jetë një në vit, jo 5”, tha Jupi.