Ndienja e fortë e hakmarrjes te Barcelona nuk ka mjaftuar përballë një Bayern-i monstruoz. Gjermanët ia dolën të mposhtin sërish katalanasit edhe në sezonin e ri, por këtë herë me rezultatin e pastër 2-0, në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë në grupe. Edhe pse Barcelona pati një sërë rastesh në pjesën e parë, në të dytën Bayern zhbllokoi fillimisht Lucas Hernandez, ndërsa më pas Sane vrau shpresat e miqve. Pa fat edhe Lewandowski që e kishte të vështirë përballjen me ish-skuadrën, ndërsa bilanci mes dy skuadrave thellohet akoma më shumë në favor të Bayern-it.

Në ndeshjen tjetër të grupit Inter bëri detyrën në transfertën çeke të Plzen. Zikaltërit fituan 0-2 pasi realizuan Dzeko dhe Dumfries, ndërsa në minutat e fundit debutoi në Champions League edhe shqiptari Kristjan Asllani.

Ndërkohë në grupin A Liverpool mori 3 pikët e para me ‘zemër në dorë’, pasi mposhti 2-1 Ajax falë golit të Matip në minutën e 89. Sfida tjetër e këtij grupi mes Rengers dhe Napolit luhet mbrëmjen e sotme.

Në grupin B Bayern Leverkusen bëri suprizën e mbrëmjes duke fituar 2-0 kundër Atletico Madrid, ndërsa Club Brugge shokoi Porto-n në Portugali, pasi e shkatërroi 0-4. Sakaq në dy takimet e tjera të së martës Sporting likuidoi 2-0 Tottenham-in e Antonio Conte-s për llogari të grupit D dhe Marseille u mposht 0-1 nga Frankfurt në Francë.