Në Shqipëri ka më shumë se 250 institucione publike, qendrore, lokale dhe institucione varësie. Punësimet në administratë realizohen sipas një procedure të përcaktuara nga Departamenti i Administratës Publike në bazë të vakancave, kritereve dhe nevojave të institucioneve respektivë si dhe rekrutimeve të punësimeve në bazë të Kodit të Punës. INSTAT raportoi në fund të vitit 2021 se numri i të punësuarve në administratën publike është mbi 182 mijë persona, sipas listë pagesave që deklarohen në tatime. Nëse krahasohet me një vit më parë, rezultojnë 10 mijë të punësuar në shtet më shumë se viti 2020.
Të rinjtë janë promotorë të shoqërisë dhe punësimi i tyre do të thotë edukim, të ardhura më të mira dhe rritje e një brezi ekspertësh. Të dhënat aktuale për punësimet në administratë tregojnë se 740 të rinj deri në 30 vjeç janë rekrutuar në shërbimin civil brenda 3 viteve të fundit. Në tremujorin e parë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,3 %. Niveli i papunësisë u ul me 2,1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është ulur me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Përveç statistikave ajo që duhet të dëshmohet është se sa e hapur dhe zbatuese e ligjit është administrata publike ndaj diversitetit social. Pra, se sa i pranueshëm është tjetri pavarësisht ngjyrës së lëkurës, besimit fetar, të ardhurave të pakta ekonomike, përkatësisë etnike etj. Në kuadër të nismës European Youth Capital mbështetur nga Forumi Rinor Evropian, kryeqytetit i është akorduar titulli “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022), që po zbatohet gjatë 2022 nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Programet në këtë kuadër kanë për qëllim të sjellin mundësi të reja, ndryshime pozitive, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive, promovimin e identitetin evropian, diversitetin dhe përfshirjen, duke transformuar qytetin në një pikë ndërkombëtare takimi për të rinjtë.
Për këtë qëllim puna kërkimore ka për qëllim:
Së pari, të jap një panoramë të detajuar në lidhje më situatën aktuale të punësimit, të mundësoj gjenerimin e të dhënave për numrin e personave me aftësi të kufizuar, të rinjve të punësuar, të pakicave etnike, komuniteteve dhe grupeve vunerabël.
E dyta, ndalet në aspektin sasior, duke u ndalur në përgjegjësinë ligjore të autoriteteve, për të garantuar punësim dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Dhe e treta, ndalet në aspektin social, duke theksuar se përfshirja e kategorive të mësipërme në sektorin publik nuk është vetëm një përgjegjësi ligjore, por edhe një detyrë morale, si dhe një parakusht për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Nga procesi kërkimor rezulton se zbatimi i politikave të diversitetit përballet me një sërë problemesh, ku pjesa më e madhe lidhet me korniza rregullatore të paqarta ose komplekse, mungesën e burimeve të mjaftueshme financiare, kornizat e ngurta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe barrierat kulturore. Këto kufizime duhet të trajtohen nga perspektiva e të gjithë qeverisë për t’u kapërcyer.
Gjatë hulumtimit të realizuar vihet re se gjenerimi i të dhënave për përkatësinë etnike ose kombëtare, orientimin seksual, fenë ose besimin dhe aftësinë e kufizuar ndonjëherë kufizohet nga barrierat rregullatore dhe nevoja për të mbrojtur privatësinë e njerëzve.
Për të përmirësuar mund të nevojiten korniza të qarta se çfarë mund të bëjnë ministritë dhe agjencitë për të mbledhur dhe përdorur të dhëna për origjinën etnike apo edhe për të regjistruar rastet e diskriminimit.
Suksesi i politikave të diversitetit varet në masë të madhe nga integrimi i saj në të gjitha fazat e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore që nga rekrutimi dhe trajnimi, deri te zhvillimi i karrierës dhe dalja në pension.
Për sa i përket sektorit publik, prevalenca e paragjykimeve, steriotipeve, diskriminimit dhe/ose ngacmimit ndaj anëtarëve të caktuar të stafit për shkak të origjinës së tyre etnike, racës, gjinisë, identitetit gjinor, statusit të aftësisë së kufizuar, moshës, fesë ose besimit, orientimit seksual ose prejardhjes socio-ekonomike dhe arsimore mund të dëmtojë seriozisht imazhin e sektorit publik dhe të rrezikojë arritjen e objektivave të diversitetit.
Të dhënat e studimit evidentojnë statistikat e cunguara dhe hapësirat që lënë për interpretime të ndryshme sipas nevojave dhe të dhënat që mund të kenë komunitetet pasi censusi i parë dhe i fundit për Shqipërinë është bërë ne vitin 2011, pra 11 vite më parë.
I vetmi parashikim në ligj është ai për kuotat për persona me aftësi ndryshe, që parashikon se çdo punëdhënës me më shumë se 25 të punësuar, duhet të rekrutojë të paktën një person me aftësi ndryshe. Një ligj i tillë ka sjellë punësimin, ndonëse sporadik dhe shpesh herë të nën përfaqësuar, të personave që i përkasin kësaj kategorie në sektorin publik.
Në rastin e punësimit të personave me aftësi të veçanta rezulton se hapa pozitiv në respektim të direktivave ligjore ka bërë Bashkia e Tiranës më punësimin e të paktën katër individëve me aftësi ndryshe. Detyrim qe shtrohet për administratën publike dhe pushtetin lokal.
Ligji për pakicat kombëtare garanton barazinë e individëve që i përkasin grupeve të ndryshme kombëtare përpara ligjit dhe shanset e tyre të barabarta në punësim, por në asnjë nen të tij nuk garanton kuota apo favorizim për punësimin e këtyre kategorive. Në këtë rast, administrata publike trajton kërkesa të barabarta punësimi pa favorizuar individët në bazë të përkatësisë etnike apo raciale.
Referuar situatës dhe gjenerimit të këtyre të dhënave, në kuadër të mbajtjes së titullit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 (TEYC 2022) në kuadër të nismës European Youth Capital nga Forumi Rinor Evropian, programeve të mbështetura nga Kongresi Rinor Kombëtar që po zbatohen nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, pasqyrohen raste dhe shembuj pozitivë mbi diversitetin dhe rininë duke sjell mendime dhe komente personale të rinjve që përfaqësojnë besime të ndryshme fetare, përkatësitë etnike, komunitetet respektive dhe punojnë në sektorin publik. Kjo për shkak të ndjekjes së të gjithë procedurave dhe hallkave të punësimit por edhe produktivitetin e tyre në detyrat përkatëse.
Evidentimi i rasteve ku të rinj janë pjesë aktive e shoqërisë, e tregut të punës dhe e administratës publike do të shërbejnë pozitivisht për administratën, do të ndikojnë në rritjen e vetëbesimit të moshatarëve te tyre në këtë drejtim si dhe do të ndihmojnë në reduktimin e steriotipeve në shoqërinë shqiptare në tërsi.
Tirana EYC 2022 stimulon të rinjtë të bëhen më pro aktivë për çështjet që i shqetësojnë ata, si edhe më të prirur për të shfrytëzuar mundësitë ekzistuese duke mbështetur fuqimisht evidentimin e rasteve pozitive ku të rinjtë nga kategori të caktuara janë duke bërë përpjekjet e tyre të ndërtimit të karrierës, të kontributit në shoqëri, në administratë dhe duke demonstruar çdo ditë e më tepër kurajon e tyre.
Gjithashtu, shembuj të tillë pozitiv janë të rëndësishme për pushtetin qendror, atë lokal, administratën publike dhe shoqërinë mbi nevojën që kanë për të hartuar dhe mbështetur politika për kategori të veçanta për t’i integruar ata në shoqëri duke vlerësuar realisht kapacitetin e tyre. Në anën tjetër për shoqërinë për të pranuar tjetrin ndryshe, pa rezerva por duke besuar në potencialin profesional për gjithë secilin.