Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri po organizon për herë të parë në Ballkanin Perëndimor konferencën rajonale “Qytetet Inteligjente”, si një nxitje për të shtuar në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente, dhe për të modernizuar shërbimet publike.
Konferenca mbahet ndërkohë që Shqipëria sapo kaloi disa sulme kibernetike, që nxorën në pah nevojën për të rritur shkallën e sigurisë në këtë fushë. Klima e biznesit në Shqipëri paraqet një seri vështirësish, siç pohojnë përfaqësues të këtij komuniteti.
Bashkitë e Shqipërisë dhe të rajonit mund të përmirësojnë ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve përmes investimeve në teknologji të sigurta dhe mund të çojnë përpara zhvillimin urban përmes investimeve të gjelbra në rajon. Ky është synimi kryesor i konferencës së parë rajonale “Qytetet inteligjente”, që po organizon Dhoma Amerikane e Shqipërisë së bashku me ambasadën amerikane, ku pritet të marrin pjesë 20 bashki nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Dhomës Amerikane në Shqipëri, Enio Jaço, thotë se siç u pa edhe gjatë sulmeve kibernetike, që erdhën nga Irani, siguria kibernetike është një temë kryesore e kohëve të sotme, sepse ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe shërbimet bazë ndaj qytetarëve, ndaj kjo temë do të ketë një vëmendje të lartë në konferencën rajonale dyditore, ku marrin pjesë kompani shumë të njohura në këtë fushë.
“Kanë ardhur të marrin pjesë emra si Amazon, Microsoft, Motorola, Parsons, Oracle e shumë kompani të tjera, që ndoshta nuk janë shumë të njohura për publikun, por janë shumë të njohura globalisht në këtë fushë” – thotë zoti Jaço.
Përfaqësues të këtyre kompanive botërore sjellin përvojat e tyre me teknologjitë inteligjente dhe sigurinë nga rreziqet kibernetike, ndërsa konferenca vjen ndërkohë që klima e biznesit në rajon dhe në Shqipëri vlerësohet e dobët dhe e brishtë.
Zoti Jaço thotë se Shqipëria ka nevojë për një paketë nxitëse për të tërhequr investimet e huaja, por po aq problem janë korrupsioni dhe prokurimet.
“Ne konsiderojmë të rëndësishme ndërtimin e një pakete të fortë, solide anti-korrupsion, e cila do t’i pengonte zyrtarët e ndryshëm të lartë por edhe të mesëm të përfshihen në akte korruptive, do ta bënte të vështirë për ata por do e bënte të kollajshme për organet ligjvënëse për identifikimin, kapjen dhe penalizimin e këtyre individëve” – thotë zoti Jaço.
Në rekomandimet e Dhomës Amerikane kërkohet edhe një reformim i thellë i prokurimeve publike, të cilat, sipas saj, kanë shumë hapësira për abuzime.
Po ashtu autoritetet duhet të përshpejtojnë nxjerrjen e lejeve për investime dhe ndërtime, thuhet në rekomandimet e Dhomës Amerikane, sepse Shqipëria ka numrin më të madh të kërkesave në rajon dhe kohëzgjatjen më të madhe për miratimin e tyre.
“Dhoma Amerikane nuk është e kënaqur me rezultatet e deritanishme. Rekomandimet tona tashmë janë të vjetra, kemi më shumë se dy vjet që i kemi dërguar qeverisë këto rekomandime dhe i kemi bërë publike. dua të them hapur se progresi nuk është aty ku duhet të jetë. Dhoma Amerikane do të jetë gjithmonë konstruktive” – thotë zoti Jaço.
Konferenca “Smart Cities” do të shqyrtojë mundësitë e bashkive të rajonit për investime inteligjente, duke i siguruar gjetur ato përmes pavarësisë financiare për të modernizuar shërbimet publike, për të sjellë zhvillim ekonomik, vendeve të reja pune.
Kjo është arsyeja pse marrin pjesë institucione të rëndësishme financiare, si EXIM Bank dhe USTDA, Bashkimi Europian, Banka Europiane per Investime, EBRD (BERZH), të cilat mund të mbështetin me financime këto projekte.
—
Intervista e plotë e Presidentit të Dhomës Amerikane, Enio Jaço, për Zërin e Amerikës
Zëri i Amerikës: Zoti Jaço, kemi mësuar që po organizoni një Konferencë Rajonale të titulluar “Smart Cities”, me pjesëmarrje të një serie kompanish të rëndësishme të kësaj fushe dhe të qyteteve të rajonit. Mund të na tregoni disa detaje mbi përgatitjen e kësaj konference dhe synimet e saj.
Enio Jaço: Është një konferencë shumë interesante dyditore, që ndodh për herë të parë në Shqipëri, dhe për herë të parë në Ballkanin Perëndimor. Konferenca organizohet nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, në partneritet me Ambasadën Amerikane, me Departamentin e Shtetit dhe me një numër agjencish federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fokus janë Qytetet Inteligjente, të parë nga tre këndvështrime të ndryshme, të cilat mendojmë se përbëjnë kriteret kryesore të qyteteve inteligjente. Në radhë të parë, është teknologjia, në një mënyrë që përvetësohet nga Bashkitë dhe i shërbehet qytetarëve, duke rritur cilësinë e jetesës së tyre. E dyta, ka të bëjë me sigurinë e teknologjisë. Ne e dimë shumë mirë se jo të gjitha teknologjitë janë të sigurta. Dhe e treta, është zhvillimi urban, në një mënyrë të tillë që të inkurajojë investimet e gjelbra për qytetet.
Zëri i Amerikës: Mund të na tregoni për kompanitë kryesore amerikane apo ndërkombëtare që janë përfshirë dhe do të marrin pjesë?
Enio Jaço: Nuk ka qenë shumë e thjeshtë që t’i sillnim këto kompani. Qëllimi jonë ishte të sillnim gjigantët e teknologjisë, ata që drejtojnë inovacionin global në qytetet inteligjente. Nuk ka qenë e thjeshtë sepse si Shqipëria ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të njohura për një infrastrukturë të sofistikuar digjitale. Megjithatë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë arritëm të sjellim disa nga gjigantët e teknologjisë që operojnë në këtë fushë në gjithë botën. Janë emra si Amazon, Microsoft, Motorola, Parsons, Oracle e shumë kompani të tjera që ndoshta nuk janë shumë të njohura për publikun por janë shumë të njohura globalisht në këtë fushë.
Zëri i Amerikës: Siguria e teknologjive dixhitale tani po bëhet përherë e më shumë një çështje kryesore e debateve. Bashkë me zhvillimin rriten edhe risqet e kësaj fushe. Çfarë të rejash do të sjellë konferenca përsa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit si edhe Shqipërisë?
Enio Jaço: Ka qenë një koiçidencë, por edhe Shqipëria është njohur me risqet, që përball teknologjia. Jo të gjitha teknologjitë, që ekzistojnë në botë, janë të sigurta. Dhe ky është një nga fokuset kryesore të konferencës. Jemi njohur kohët e fundit në Shqipëri me sulmet kibernetike, që vijnë nga Irani dhe një fokus shumë i madh i konferencës do të jetë teknologjia dhe cybersecurity. Sidomos në drejtim të qytetarëve, sepse sulmet kibernetike afektojnë disa nga shërbimet bazë, që ofrohen ndaj qytetarëve dhe kjo do të marrë një fokus të lartë në konferencë.
Zëri i Amerikës: Kompanitë e mëdha mund të investojnë në rajon, por një pjesë e madhe e bashkive të rajonit dhe të Shqipërisë janë ende në një nivel të pamjaftueshëm zhvillimi dhe të pafuqishme ekonomisht. Si mendoni se mund të mbështeten bashkitë nga qeveritë qendrore për t’u realizuar këto investime?
Enio Jaço: Unë mendoj se mënyra më e mirë dhe më e shpejtë, që bashkitë mund të mbështeten nga qeveria qendrore, është financimi. Mënyra më e mirë afatgjatë që bashkitë mund të mbështeten nga qeveria qendrore është që të ndryshohet ligji mbi financimin e pushtetit lokal. Ligji i financimeve është shumë i rëndësishëm, sepse u krijon bashkive pavarësi financiare, u krijon mundësi për të shkuar në tregje të tjera dhe për të gjetur fonde njësoj si qeveria qendrore – për t’u përdorur në mënyrë të zgjuar për investime të reja si këto. Por gjithashtu investime të tjera të dobishme, dhe mendoj se reforma në lidhje me këtë ligj është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër, në konferencë ne do kemi një sesion të veçantë, që i dedikohet financimit, si dhe mënyrave dhe metodave që bashkitë – qoftë edhe në situatën që janë sot – mund t’i realizojnë këto projekte. Mendoj se kjo do të jetë një nga pjesët më interesante të konferencës. Kemi ftuar dy institucione të rëndësishme financiare, EXIM Bank dhe USTDA. Por gjithashtu edhe një numër institucionesh të lidhura me Bashkimin Europian, Banka Europiane per Investime, EBRD (BERZH) si dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët mund të kenë një rol të rëndësishëm për mbështetjen me financim të këtyre projekteve.
Zëri i Amerikës: Një pyetje për klimën e biznesit. Si e vlerësoni klimën e përgjithshme të biznesit në Shqipëri? A është e përshtatshme për të adoptuar teknologji të reja të këtij niveli apo pritet shumë të ndryshohet mentaliteti i administratës?
Enio Jaço: Kjo është një konferencë rajonale. Pavarësisht se bëhet në Tiranë, sepse po e organizon Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, por kjo konferencë përfshin gjithë rajonin. Janë rreth 20 drejtues bashkish nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne po i japim një fokus zhvillimit rajonal jo vetëm zhvillimit lokal. Në lidhje me rritjen e investimeve, dy armiqtë kryesorë për Shqipërinë dhe për rajonin janë përmasa e (e vogël) e tregut dhe klima e dobët biznesit. Të mos harrojmë që tregjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë shumë të vogla, variojnë nga 2 milionë deri në 7 milionë popullsi. Por gjithashtu është edhe klima e biznesit – të dyja duken si pa lidhje por në fakt kanë një lloj lidhje me njëra tjetrën në mënyrën se si ne i shikojmë dhe në bazë të eksperiencës që ne kemi me investitorët e mëdhenj. Imagjinoni një treg me popullsi prej 20 milionësh, i cili ka rregulla të ngjashme, ose të barabarta, rregulla të mira dhe klimë biznesi të sofistikuar. Ky treg do të bëhet pjesë e një rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, ku risku ekonomik dhe politik do të vijë gjithmonë duke u ulur, e atëherë bëhet një treg shumë atraktiv për investitorët e mëdhenj. Në këtë moment tregu është i ndarë, i vogël, i copëzuar dhe i fragmentuar, i paunifikuar. Vende të caktuara si Serbia apo Maqedonia e Veriut kanë një klimë biznesi më të avancuar se sa ajo e Shqipërisë, qoftë edhe Kosovës apo Bosnjes. Mendoj se Shqipëria do të përfitonte shumë si nga unifikimi i tregut rajonal, por gjithashtu edhe nga rritja dhe përmirësimi i ndjeshëm i klimës së biznesit.
Zëri i Amerikës: Çfarë është ndryshe në klimën e biznesit në Shqipëri përsa i përket legjislacionit dhe praktikave të biznesit në raport me Maqedoninë dhe Serbinë?
Enio Jaço: E tillë ka qenë eksperienca deri tani dhe ne mendojmë se ka nevojë për një reformim. Nuk është se ka qenë më e mirë më përpara dhe është përkeqësuar tani. Gjithmonë ka qenë e pazhvilluar në nivelet që ne aspirojmë, ku Shqipëria duhet të jetë për të tërhequr investime. Janë disa elemente: Ne kemi publikuar Agjendën e Investimeve, e cila trajton pikërisht këto çështje. Janë tetë shtylla kryesore, që ne evidentojmë, nëpërmjet një analize, e cila na ka marrë më shumë se një vit punë në një analizë të thellë me ekspertë ndërkombëtarë, kombëtarë etj. Unë do ndalem tek ato më kryesoret. Së pari, propozuam krijimin e kushteve për përshpejtimin në maksimum të lejeve të ndërtimit dhe investimit. Shqipëria ka rekord të keq në Ballkan, ka numrin më të madh të kërkesave për të marrë një leje dhe kohëzgjatjen më të madhe. Maqedonia e Veriut e ka më të shkurtër. Një nga modelet më të mira në këtë rast është Maqedonia e Veriut, pra përshpejtimi i lejeve mbi bazë të kritereve krejtësisht analitike jo i individëve, që mund të vendosin mbi lejet e ndërtimit apo lejet e investimit. E dyta, është propozimi për një paketë incentivuese mbi investimet, e bazuar mbi volumin e investimeve, pra përmasën në dollarë të investimeve të huaja por qoftë edhe të brendshme, numrin e vendeve të punëve që ato hapin edhe impaktin pozitiv të zhvillimit ekonomik që krijojnë në treg. Këto elementë duhet të jenë të lidhura me paketën e incentivave, sepse vendet e rajonit kudo në botë janë shumë konkurruese në lidhje me tërheqjen e invstimeve të reja. Së treti, ne konsiderojmë të rëndësishme ndërtimin e një pakete të fortë, solide anti-korrupsion, e cila do t’i pengonte zyrtarët e ndryshëm të lartë por edhe të mesëm të përfshihen në akte korruptive, do ta bënte të vështirë për ata por do e bënte të kollajshme për organet ligjvënëse për identifikimin, kapjen dhe penalizimin e këtyre individëve. E katërta, që ne shikojmë shumë të rëndësishme është reforimi, i thellë i prokurimeve publike – i cili lë vend shumë për abuzime dhe ka nevojë për përmirësime. Këto janë disa nga elementët kryesore, që, së bashku me stimuj të tjerë, do të ndryshonin radikalisht klimën e biznesit.
Zëri i Amerikës: Në një takim me Dhomat e Tregtisë, qeveria ka thënë se është duke shqyrtuar të gjitha rekomandimet, që janë propozuar nga dhomat e tregtisë. A keni dijeni si janë pritur rekomandimet tuaja, deri në ç’fazë janë komunikimet tuaja me qeverinë dhe sa janë përmbushur?
Enio Jaço: Ka qenë një element i mirë pozitiv, që vet kryeministri organizoi një tryezë konsultimi me dhomat e tregtisë në lidhje me klimën e biznesit dhe rekomandimet që dhomat e tregtisë kanë. Dhe padyshim që ky është një faktor pozitiv sepse tregon vëmendje ndaj komunitetit të biznesit. Nga ana tjetër, më duhet të them se Dhoma Amerikane nuk është e kënaqur me rezultatet e deritanishme. Rekomandimet tona tashmë janë të vjetra, sepse kemi më shumë se dy vjet, që i kemi dërguar qeverisë këto rekomandime dhe i kemi bërë publike. Progresi nga mesi i vitit 2020 dhe deri tani nuk është i kënaqshëm, është në nivele të ulëta, por ne presim, ndoshta me angazhimin e kryeministrit, që administrata publike të veprojë më shpejt. Mendoj seriozisht se avantazhi që qeveria ka nga implementimi i këtyre rekomandimeve është shumë i madh. Avantazhi që do ketë komuniteti i biznesit nga implementimi i rekomandimeve do jetë jashtëzakonisht shumë i madh. Nuk shikoj ndonjë arsye shumë të madhe pse të mos ketë progres por dua të them hapur se progresi nuk është aty ku duhet të jetë. Dhoma Amerikane do të jetë gjithmonë konstruktive me përqasjen e saj në lidhje me qeverinë dhe administratën, por në të njëjtën kohë ne do jemi transparent mbi realizimin e këtyre rekomandimeve.
Top Channel