Nga Owen Matthews

Një javë me mesazhe disi të përziera nga Kremlini. Një ditë Vladimir Putin hapi karuselin më të madh të Evropës dhe drejtoi vetë festimet në Moskë me rastin e 875-vjetorit të themelimit të qytetit, i qetë e me humor, dhe luftën vetëm sa e zuri me gojë kalimthi. Pak ditë më pas, doli në televizionin kombëtar dhe i bëri të ditur botës se nuk po luante blofin për përdorimin e armëve bërthamore dhe shpalli mobilizimin e pjesshëm. Putin nuk ka provuar kurrë zgjedhje të luftuara në jetën e tij, kështu që nuk ka qenë ndonjëherë i dalluar në komunikimin me njerëzit. Por në fjalimin e fundit dukej po aq i zbehtë e me sy të shuar sa një vampir.

Rusët e dinë më mirë se kushdo se sa më tepër të mohohet diçka, aq më tepër gjasa ka që të ndodhë. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu doli pas Putinit për të shpjeguar se mobilizimi do të aplikohej vetëm për deri në 300 mijë rezervistë me përvojë luftarake. Në praktikë, povestki – thirrja për t’u paraqitur në qendrën e rekrutimit – me sa duket u bë me kë të kapte lapsi. Të gjithë të sapodiplomuarit e një kursi arkitektësh moskovitë u thirrën bazuar në faktin që ata kishin bërë zbor të detyrueshëm ushtarak si pjesë e programit universitar. Babai 55-vjeçar i shokut të komshiut tim mori fletëthirrjen edhe pse nuk kishte shërbyer kurrë më parë në ushtri. Ai shkoi në zyrën e rekrutimit për të shpjeguar se ishte bërë gabim. Dy orë më pas ishte në autobusin që shkonte në kampin e stërvitjes. Në Rusi, çdo krizë është edhe një rast i mirë për biznes. Një mike biznesmene më tregonte se pa u mbushur end një ditë nga shpallja e mobilizimit nga Putin, u ngrit menjëherë një rrjet këshilltarësh të specializuar në bronirovanie – që fjalë për fjalë është si të blindosh diçka me armaturë. Meqenëse “specialistët” e përcaktuar në mënyrë të mjegullt përjashtohen nga thirrja, menaxherët pajisin punonjësit e tyre me dokumente që vërtetojnë që ata nuk janë të disponueshëm. Çmimi: 120 paund për person, një pjesë e madhe e të cilit shkon për zyrat e rekrutimit që bëjnë përjashtimin. Tashmë ka dalë edhe një tarifë e pranuar gjerësisht për kalimin e kufirit pa letra nga zyra ushtarake: 300 paund në dorë rojeve të kufirit. Disa shakaxhinj që hiqeshin si oficerë rekrutimi telefonuan djalin e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, duke e urdhëruar të paraqitej për kontrollin mjekësor. “Pa diskutim që jo”, u përgjigj 32-vjeçari Nikollaj Peskov. “Duhet ta kuptoni që nuk ka mundësi që unë të paraqitem atje. Do ta zgjidh në tjetër nivel”. Fjala kyç: “Pa diskutim”. Ideja që fëmijët e elitës së Rusisë mund të shërbejnë për vendin për ta është absurditet i qartë.

Shenjë treguese: “Shkëmbej një Toyota Corolla për një biletë vetëm vajtje për Stamboll”, shkruan në median sociale prindi i një rekruti të mundshëm. Në stacionin e autobusit në Moskë, hapësira e reklamave, e lënë bosh pas largimit të 1200 kompanive të huaja, është mbushur me afishe patriotike. Disa përfshijnë karikatura të stilit sovjetik të Dajës Samit të lig e të urryer që mban kukulla të Pipi Çorapegjatës dhe Moomins (personazhe komikë për fëmijë finlandezë) të veshur me ngjyrat e flamujve të Suedisë e Finlandës. “Mos u bëni marioneta në duart e të huajve”, thoshte diçitura. M’u desh një moment ta kuptoja se afishja e stilit të vjetër nuk kishte synim ironie.
Në një vizitë të kohëve të fundit në Kiev pashë që lufta kishte përfshirë gjithçka, që nga numri i djemve të rinj me uniformë – edhe në kafene – deri në alarmet e rregullt ajrorë. Por për shumicën e moskovitëve lufta ka qenë thuajse e padukshme deri në shpalljen e mobilizimit nga Putin. Ose të paktën pasojat e saj ishin diçka jo më tepër se një irritim i butë: s’ka më Apple Pay apo Zoom, as përditësim software apo banking ndërkombëtar, McDonald’s dhe Starbucks të zëvendësuar me klone lokale. Por baret, restorantet dhe teatrot ishin plot. Supermarketet e Moskës ishin të mbushura me çdolloj gjëje – përfshirë plot mallra nga Evropa e sanksionuar. Megjithatë, pas mobilizimit të kësaj jave, lufta befas u shndërrua nga një bezdi e largët e injorueshme për dhjetëra miliona rusë me familjarë në moshë ushtrie në diçka tepër të afërt e personale.

Lajmet raportuan për tre shpërthime që dëmtuan tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 të Gazpromit, duke shkaktuar sipërfaqe të mëdha turbulence teksa 300 milion metra kub gaz nga secili prej tubacioneve shkuan dëm duke dalë në sipërfaqe. Zyrtarët danezë e suedezë ishin të matur në caktimin e fajtorëve. Të njohurit e mi moskovitë, më pak. “Putin po hedh gjithçka në erë para se të rrëzohet”, thotë një mik tregtar energjie – dikur patriot i madh, tani një rekrut potencial i frikësuar. Në kohë më të qeta, tubacionet Nord Stream ishin një mjet i Kremlinit për të shtrirë kontrollin mbi Evropën. Ndërprerja nga Putin e furnizimeve përmes Nord Stream 1 në korrik për t’i bërë presion Evropës që të ndalonte përkrahjen për Ukrainën ishte ekuivalenti diplomatik i një jeleku vetëvrasës. Për habinë dhe zhgënjimin e tij, Evropa reagoi shpejt duke u kaluar alternativat e gazit të lëngshëm. A ishte hedhja në erë e tubacioneve Nord Stream ekuivalenti modern i djegies së anijeve në plazh nga Cortez? (Më 1519, pas mbërritjes me 600 burra në Botërn e Re, Hernán Cortés dogji anijet për të dhënë mesazhin që s’kishte kthim prapa – Syri.net). Taksistët e Moskës rrallë janë në një mendje. Ata janë gati të luftojnë nëse Rusia sulmohet, por jo “për t’i marrë shtëpinë tjetrit”. Një javë më parë, Putin mund të kishte deklaruar fitoren, të kishte propozuar një plan paqeje e të përçante përkrahësit e Ukrainës. Por me mobilizimin që shkaktoi protesta në vende deri tani besnike si Dagestani, ai e bëri ndryshimin e regjimit një mundësi reale. Disa javë më parë shkruaja se pasuesit e mundshëm të Putinit vështirë se do të jenë më të mirë se ai. Siç thotë poeti dhe kritiku Dmitri Bijkov, Putin nuk është Hitler, ai është Kaiser Wilhelm II. Pas disfatës ushtarake në Ukrainë vjen një version i ri i Versajës, Republika e Vajmarit, e më pas katastrofa e vërtetë. “Nuk i druhem një Rusie të korruptuar”, thotë Bijkov. “I druhem një Rusie vërtet fashiste”.
Karuseli që hapi Putin u prish dy ditë më pas, duke lënë pasagjerët të ngecur në lartësi e të pashpresë në mekanizmin ku kishin hipur plot besim.