Nga Ardit Rada
Pasditen e së dielës, një tjetër lajm i rremë qarkulloi në mediat shqiptare, ai se “Kryeministri grek kishte zbuluar një marrëveshje për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në detin Jon”.
Mediat pranë opozitës nxituan të shfaqin instiktet e tyre antishqiptare, duke sajuar mbi këtë çështje për arsye të kuptueshme politike, në përpjekjen e vazhdueshme për të krijuar probleme edhe atëhere kur nuk ka.
E vërteta është se për detin, çështja do të ndiqet në Hagë kur të dyja palët të jenë gati dhe kjo është konfirmuar publikisht si nga grekët, ashtu edhe nga shqiptarët.
Por teksa në Shqipëri fabrikohet një lajm i rremë, raportimi i medias greke tregon thjesht dhe shkurt për çfarë ka folur realisht sot Kryeministri grek.
Kanali mediatik ERT në Greqi, nënvijëzon mbështetjen që Mitsotakis ka shprehur për integrimin e vendit tonë në BE, sepse sipas tij, negociatat do krijojnë mundësinë që të diskutohet për shumë çështje me Shqipërinë në çdo kapitull që hapet.
“Kjo është arsyeja pse e mbështeta. Ky është një proces që kërkon shumë kohë. Dhe në çdo kapitull që hapet do të kemi mundësinë të diskutojmë të gjitha çështjet,” citon kanali ERT, Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.
Ndërkohë që mediat greke e vënë theksin te nevoja për diskutim dypalësh, referuar fjalës së kryeministrit grek, në Tiranë ngrihet një stuhi në gotë nga mediat antishqiptare që prodhojnë konflikt edhe atje ku konflikt nuk ka!