Nga Valon Rashiti/

Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se do ta ftojnë për interpelancë në Kuvend, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën.

Kjo e fundit gjatë një interviste në VOA nuk e përshëndeti Rezolutën e Shqipërisë në Këshillin e Evropës e cila kërkon nga Asambleja Parlamentare e KiE të rishikojë Rezolutën 1782, atë të viti 2011, dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“Ne do të kërkojmë interpelancë ministren e Jashtme, por jo vetëm për këtë por edhe për çështje tjera”, tha Çitaku në Klan Kosova.

“Përtej faktit që as nuk e përshëndet iniciativën e Shqipërisë, thotë se kjo është çështje e tyre. Kjo nuk është çështje vetëm e tyre, kjo është një përgjegjësi që kryeministri Rama e ka marrë mbi supe për hir të historisë sonë”, shtoi ajo.

Ajo ka theksuar se raporti i Dick Martyt synon ta rrënojë rrëfimin për Kosovën, “për luftën tonë dhe rrjedhimisht të de-legjitimoj ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë dhe shtetësinë tonë”.

“Pra, duke e mbrojtur presidentin Thaçi, ne e mbrojmë rrëfimin për Kosovën, i mbrojmë fundamentet e shtetit tonë. Dhe të qëndrosh totalisht indiferent, ishte përtej imagjinatës”.

Gërvalla pati thënë se nuk ka pasur një bashkërendim me qeverinë e Shqipërisë në lidhje me rezolutën.

“Ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare. Unë komentoj marrëdhëniet tona të përbashkëta të cilat janë të mira si rrallëherë në shumë fusha”. /Albanianpost.com