Ka nisur seanca plenare këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë.
Në nisje të kësaj seance Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje për Mbretëreshën Elisabeth ll. Në Kuvend ka mbërritur ambasadori britanik Alastair King-Smith.
Në këtë seancë është vendosur të shtyhet për javën e ardhshëm votimi i kandidaturave të Albert Minga dhe Edmond Tullumani si kandidat për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH.
Kjo vjen pas kërkesës së grupit socialist. Taulant Balla tha se grupi i PS ka nevojë për më shumë kohë, ndërsa kërkesa është pranuar nga opozita.
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare për shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme. Në rend të ditës do të jetë projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, marrëveshja midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
Po ashtu në seancë do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPAIII).
Po ashtu është parashikuar që të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit si dhe projektligj “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin.
Në seancën e sotme të Kuvendit do të shqyrtohet edhe projektvendimi për zgjedhjen e Albert Mingës si anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar si dhe projektvendimi për zgjedhjen e Edmond Tullumani, anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.