Njohja e Kosovës mbetet ende një ndër tematikat që nxit tensione mes Kosovës dhe Serbisë. Një deklaratë e fundit e Presidentit Vuçiç, ka ri sjellë edhe njëherë reagime për sovranitetin e Kosovës. ‘Serbia s’do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi Kosovën’- kështu u shpreh Vuçiç për njohjen e Prishtinës mbështetur sipas tij në të drejtën ndërkombëtare.
Në saj të kësaj deklarate plot tensione, Këshilltari i ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Alush Gashi iu kundërpërgjigj duke risjellë në vëmëndje ish-Jugosllavinë dhe se Serbia edhe pas saj nuk ka ndryshuar.
‘Presidenti Vuçiç në Parlamentin serb tha: “Kosova nuk ka qenë gjithmonë e jona. Ne kishim një konsullatë në Prishtinë, gjithmonë ka qenë për territor”. Serbia nuk ka ndryshuar! Sërish po përpiqet të rrëmbejë territor! Konsullata serbe në Prishtinë 1889-1912’- shkroi Gashi.
Kjo deklaratë e Alush Gashit vjen fill pas asaj të bërë rishtazi nga Presidenti serb, Vuçiç i cili vijon ta njohë Kosovën si krahinë pjesë të Beogradit ndërkohë që Kosova është shpallur e pavarur që në vitin 2008. Me argumentin se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Vuçiç siguroi edhe njëherë parlamentin serb se Kosova nuk do të njihet derisa të jetë ende në pushtet.
Për deklaratën e tij ka reaguar edhe Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ku tha se Kosova është shtet i pavarur, teksa në organin ligjvënës presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, prezantoi raportin për dialogun politik me Kosovën.