Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të premten, udhëheqësit nga të gjithë cepat e globit vazhduan të bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe shumë prej tyre dënuan kërcënimin nga President rus Vladimir Putin për përdorimin e armëve bërthamore. “Lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës – një mallkim që reflekton mentalitetin brutal të pushtimit dhe perandorisë”, tha Kryeministrit i ishullit të vogël Fixhi, Josaia Voreqe Bainimarama. “Pavarësisht nga fuqia dhe nga përmasat e tij, Fixhi nuk ka frikë të dënojë çdo vend që fillon luftë”.

“Ne në Paqësor, që kemi përjetuar tmerrin e pasojave të goditjes bërthamore, denoncojmë me forcë kërcënimin e zotit Putin për të përdorur armët bërthamore”, tha ai. “Cili vend që pretendon se është çlirimtar, kërcënon të zhdukë vetë civilët që pretendon se po çliron?”, pyeti Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Arden, duke iu referuar kërcënimeve bërthamore të zotit Putin. “Kjo luftë është e bazuar në një gënjeshtër”. Philip Pierre, Kryeministri i vendit të Karaibeve, Saint Lucia, tha se lufta në Ukrainë nuk sjell vetëm vdekje dhe tmerre, por e ka zhytur botën në kriza ekonomike, ushqimore dhe energjitike.

“Botës mund t’i ishte kursyer kjo agoni humanitare dhe ekonomike, nëse sërish vendet dhe udhëheqësit e tyre do të respektonin dhe do t’i përmbaheshin parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha zoti Pierre. Rusia do të ketë mundësinë t’i drejtohet komunitetit ndërkombëtar të shtunën, kur Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të ngjitet në podium. Gjatë një takimi të enjten për situatën në Ukrainë në Këshillin e Sigurimit, zotit Lavrov nuk trajtoi çështjen e mobilizimit apo kërcënimeve bërthamore të zotit Putin. Në lidhje me referendumet që filluan të premten në pjesët e pushtuara të Ukrainës, ai tha se janë pasojë e deklaratave “ruso-fobike” të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili, sipas zotit Lavrov, u tha njerëzve që ndihen rusë të shkojnë në Rusi.

Rreziku klimatik

Disa vende të vogla ishullore folën për një luftë tjetër – kundër ndryshimit klimatik. “Ndryshimi i klimës është një kërcënim ekzistencial për njerëzit dhe dëshirën tonë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha kryeministri i Tongës, Hu’akavameiliku. Ai tha se duhet të jetë në axhendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – diçka që anëtarja e përhershme Rusia e bllokoi me veto dhjetorin e kaluar. “Kjo kërcënon integritetin tonë territorial, tokën, ujin, shëndetin, infrastrukturën, sigurinë ushqimore, diversitetin biologjik, jetesën dhe ekosistemet tona”, tha ai.

“Kjo është një luftë që po humbasim në çdo komunitet, qytet dhe vend të çdo madhësie”, tha Kryeministri i Fixhit, Bainimarama. “Por vendet e vogla, ato më pak përgjegjëse, humbasin më shumë nga të gjithë. Megjithatë ne nuk dëgjohemi”. Pakistani, i cili po rimëkëmbet nga përmbytjet katastrofike të reshjeve që kanë zhytur nën ujë një të tretën e vendit, paralajmëroi për ndikimin e ngrohjes globale. “Jeta në Pakistan ka ndryshuar përgjithmonë”, tha Kryeministri Muhammad Shehbaz Sharif. “Kur ngrohja globale shpërbën familje të tëra dhe një vend të tërë me këtë shpejtësi të egër, është koha të pyesim pse dhe koha të mos pyesim se çfarë mund të bëhet, por çfarë duhet bërë”, tha ai.

Tensionet në Azi

Kryeministri i Ishujve Solomon, vendi i të cilit nënshkroi një pakt sigurie me Kinën në maj, u ankua se ishte “sulmuar rëndë” për këtë. “Ky vendim u arrit përmes proceseve demokratike nga një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Kryeministri Manasseh Sogavare. Marrëdhëniet midis Ishujve Solomon dhe Shteteve të Bashkuara u ftohën pasi nënshkroi paktin me Pekinin dhe informoi Uashingtonin në fund të gushtit se po vendoste një moratorium për të gjitha anijet detare që kalonin nëpër portet e tij. Uashingtoni ka shprehur shqetësimin se Kina mund të vendosë forca ushtarake në këta ishuj.

Kryeministri Sogavare i tha Asamblesë së Përgjithshme se vendi i tij ka një politikë të jashtme “miq të të gjithëve dhe armiq të askujt” dhe nuk do të “detyrohet” të zgjedhë anë. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve të jenë “të ndjeshme dhe të mos ndezin tensionet” mbi ngushticën e Tajvanit. “Çdo përllogaritje e gabuar mund të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe mund të ketë pasoja katastrofike në tregtinë globale”, tha ai. Ministrat e jashtëm të Katërshes në Indo-Paqësor – Japonia, Australia, India dhe Shtetet e Bashkuara – u takuan në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të premten. Ata thanë në një deklaratë të përbashkët se “kundërshtojnë fuqishëm çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në” në rajon.

Konfliktet e zgjatura

Asambleja dëgjoi gjithashtu Presidentin palestinez Mahmud Abbas. Udhëheqësi 87-vjeçar foli për gati 50 minuta duke shprehur zhgënjimet e tij për vështirësitë e popullit të tij me izraelitët dhe dekadat e dështimit në arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete. “Ku mund ta ndërtojmë shtetin tonë të pavarur që do të jetojë në paqe me fqinjët?” pyeti zoti Abbas. “Ne duam të jetojmë në paqe me ta! Me Izraelin. Ku do ta krijojmë shtetin tonë të pavarur për të jetuar në paqe me ta?”. Ai tha se toka palestineze për të ndërtuar një shtet të tillë po zhduket me rritjen e vendbanimeve izraelite.

Kryeministri i Izraelit iu drejtua asamblesë një ditë më parë. “Pavarësisht të gjitha pengesave, ende sot një shumicë e madhe e izraelitëve mbështesin vizionin e kësaj zgjidhjeje me dy shtete. Unë jam një prej tyre”, tha Yair Lapid. Është hera e parë që kur u bë kryeministër që ai ka dhënë miratimin publikisht për një zgjidhje me dy shtete. Kushti i tij i vetëm, tha ai, është se duhet të ketë garanci të qarta sigurie për Izraelin. “Ne kemi vetëm një kusht: që një shtet i ardhshëm palestinez të jetë paqësor”, tha ai të enjten. Debati vjetor i Asamblesë së Përgjithshme vazhdon të shtunën me Kinën, Egjiptin dhe Etiopinë, midis vendeve që do të marrin fjalën në podium./ VOA