Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Turqisë dhe Greqisë që të shmangin retorikën dhe veprimet që mund të rrisin më tej tensionet mes dy aleatëve të NATO-s.
“Në një kohë kur Rusia përsëri po sulmon një shtet sovran evropian, deklaratat që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s janë veçanërisht të padobishme”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të martën.
Rivalët historikë, Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.
Ankaraja së fundmi e ka akuzuar Athinën për armatosjen e ishujve të çmilitarizuar të Egjeut, diçka që Athina e kundërshton. Presidenti turk Erdogan nuk e kishte akuzuar më parë Greqinë për pushtimin e tyre.
Në përgjigje të një pyetjeje nga shërbimi turk i Zërit të Amerikës mbi retorikën e fundit të zyrtarëve të Turqisë dhe Greqisë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të inkurajojnë aleatët tanë të NATO-s që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike”.
Edhe zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder theksoi nevojën për uljen e tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë, pas njoftimeve se forcat greke drejtuan sistemet S-300-të të mbrojtjes ajrore nga avionët turq.
“Sekretari Austin ka biseduar në të kaluarën me homologët e tij turq dhe grekë dhe ka theksuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të ulur tensionet në Egje përmes një dialogu konstruktiv”, tha zoti Ryder, duke refuzuar të komentonte mbi njoftimet për përdorimin nga forcat greke të sistemit S-300.
Bashkimi Evropian shprehu shqetësimin të hënën për ato që i quajti “deklarata armiqësore” pasi presidenti turk Erdogan akuzoi Greqinë për pushtimin e ishujve të çmilitarizuar në Egje dhe tha se Turqia ishte e gatshme “të bëjë atë që është e nevojshme” kur të vijë koha.
“Kërcënimet dhe retorika agresive janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, tha Peter Stano, zëdhënës i shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke nënvizuar kërkesat e BE-së që dallimet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar.
Në vitin 2023, Turqia do të mbajë zgjedhjet e radhës të cilat cilësohen si sfida më e madhe zgjedhore e qeverisjes gati 20-vjeçare të zotit Erdogan. Ai po shfrytëzon arritjet në skenën globale ndërsa ka rritur retorikën e tij për politikën e jashtme.
Ankaraja thotë se ishujt e Egjeut iu dhanë Greqisë sipas traktateve të viteve 1923 dhe 1947 me kusht që ajo të mos i armatosë ato. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë vazhdimisht se Turqia do të fillojë të vërë në dyshim sovranitetin grek mbi ishujt nëse Athina këmbëngul në armatosjen e tyre./VOA